Gianluigi Donnarumma, portieri i Manchester City-t dhe kapiteni i kombëtares italiane, u martua me partneren e tij prej vitesh, Alessia Elefante, në një ceremoni në kishën Chiesa Madre di San Giorgio Martire në Locorotondo, në rajonin e Pulias. Festa u zhvillua në një nga lokacionet tradicionale të jugut të Italisë dhe mblodhi figura të njohura të futbollit botëror.
Donnarumma dhe Elefante njihen prej vitit 2016, kur banonin në Castellammare di Stabia, pranë Napolit. Marrëdhënia e tyre nisi në rini dhe vazhdoi ndër vite; në vitin 2024 çifti u bë prindër të një djali të quajtur Leo. Në maj të këtij viti, portieri zyrtarizoi fejesën me një postim në rrjetet sociale, duke shkruar me humor se kishte firmosur “kontratën afatgjatë”.
Në dasmë morën pjesë emra të njohur si trajneri i Manchester City-t Pep Guardiola, sulmuesi Erling Haaland, mesfushori Sandro Tonali, legjenda Paolo Maldini dhe Nicolò Barella. Mediat raportuan se Guardiola dhe Maldini diskutuan gjatë edhe për situatën e kombëtares italiane dhe për postin vakant të trajnerit. Sipas njoftimeve, Guardiola nuk duket kandidat për këtë rol, pasi ka thënë se dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen; ndërkohë emri i Andrea Pirlos është përmendur si një nga alternativat më të forta për stolin e Italisë.
Një nga momentet më të komentuar të mbrëmjes ishte protagonizmi i Erling Haalandit. Ai u shfaq së bashku me partneren Isabella Hauhsen Johannsen dhe gjatë festës udhëhoqi të ftuarit në koreografinë e njohur “Viking Row”, duke luajtur në daulle; pamjet u përhapën shpejt në rrjetet sociale.
Donnarumma vjen pas një sezoni të rëndësishëm në karrierën e tij. Pas largimit nga Paris Saint-Germain verën e kaluar, ai iu bashkua Manchester City-t për rreth 26 milionë paundë dhe u bë titullar shpejt, duke fituar besimin e stafit teknik. Me refleksin, fizikun dhe aftësinë për të organizuar mbrojtjen, ai është shndërruar në një nga pikat më të forta të skuadrës së Guardiolës. Pas suksesit në fushë, Donnarumma festoi edhe martesën me partneren e tij mes miqve dhe kolegëve më të mëdhenj të futbollit.

