Një 26-vjeçar, i identifikuar me inicialet S.B., banues në Kavajë, u arrestua sot pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma. Gjykata e Breshias, në Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, të parashikuar nga Kodi Penal i Italisë, për të cilën parashikohet dënim maksimal deri në 24 vjet burgim.
Kapja e tij u realizua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania), në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me strukturat operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe Komisariatit të Policisë Kavajë, si pjesë e një faze tjetër të operacionit policor të koduar “Fast”. S.B. u lokalizua dhe u arrestua provizorisht në Kavajë me qëllim ekstradimi drejt Italisë.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari ka qenë pjesëtar i një organizate kriminale të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë, por edhe disa shtetas italianë. Në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të organizatës, ai dyshohet se ka trafikuar lëndë narkotike me qëllim shpërndarjen e tyre në disa zona të Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 26-vjeçarit drejt Italisë.

