Gjatë protestave që nisën në Tiranë që nga fillimi i qershorit për projektin në Zvërnec, një numër i madh i mediave të huaja i janë drejtuar SPAK-ut me kërkesa për informacion mbi hetimet lidhur me atë projekt. Raporti mujor i kërkesave për informacion, që disponon gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, tregon interes të veçantë të mediave të huaja për hetimet në Zvërnec dhe, konkretisht, për pyetjen nëse ka hetime ndaj Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump.
Fox News ka kërkuar nëse SPAK po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Kushner. Në përgjigje zyrtare SPAK njofton se Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me Jared Kushner. SPAK shton se ka nisur një hetim që nuk lidhet me objektin e kërkesës së Fox News dhe se detajet nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.
Në listën e mediave që kanë kërkuar informacion figurojnë NYT London, CNN London, Anadolu Agency, MSNBC, CNN, CBS News London, The Times, RAI Tre dhe të tjera. Disa prej këtyre mediave janë interesuar edhe për pronësinë e ishullit të Sazanit dhe për qindra hektarë në gjirin e Nartës, duke pyetur SPAK nëse po i investigon si çështje të veçanta.
SPAK raporton se përsa i përket Sazanit nuk ka një investigim të hapur lidhur me zhvillimin e një projekti në atë ishull. Megjithatë, autoriteti sqaron se ka nisur një hetim lidhur me vendime të marra që nga viti 2024 për ndryshimin e statusit të mbrojtjes së tokës, dhënien e statusit “Investitor Strategjik” ose lehtësimin në forma të tjera të ndërtimit të ri turistik në Ishullin e Sazanit, në territorin e Bashkisë Vlorë. Detajet e mëtejshme të këtij hetimi nuk bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.
Burimi i tekstit: Top Channel.

