Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në orën 10:00 për seancën plenare, ndërsa ende nuk dihet nëse kjo do të jetë seanca e fundit. Në fokus të rendit të ditës janë raportet vjetore të institucioneve të drejtësisë, përfshirë Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Prokurorinë e Përgjithshme, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Strukturën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK). Deputetët do të shqyrtojnë projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së këtyre institucioneve gjatë vitit 2025.
Një nga pikat e rendit të ditës është shqyrtimi i projektrezolutës për veprimtarinë e SPAK, dokument i cili do të prezantohet nga Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale. Në seancë do të diskutohen gjithashtu raportet e Avokatit të Popullit dhe të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Paralelisht, janë parashikuar një interpelancë dhe dy seanca pyetje-përgjigje me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Blendi Himçi, Bujar Leskaj dhe Erald Kapri. Deputetët do të shqyrtojnë disa akte normative dhe projektligje, përfshirë ndryshimet në Buxhetin e Shtetit për vitin 2026 dhe aktin normativ për financimin e pjesshëm të një aktiviteti kulturor-turistik me përmasa ndërkombëtare.
Rendi i ditës përfshin gjithashtu një sërë nismash ligjore që lidhen me ekonominë, integrimin europian, turizmin, Kodin Detar, Policinë e Shtetit, Forcat e Armatosura dhe pronësinë industriale. Në përfundim të seancës pritet të votohet për emërimet në Komisionin e Prokurimit Publik, ndërsa mbledhja do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Jashtë ambienteve të Kuvendit është paralajmëruar një protestë, ndërsa policia ka rrethuar institucionin me gardh metalik.

