Gjykata e Lartë shpalli zyrtarisht listën përfundimtare të kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të procesit të verifikimit të plotësimit të kushteve ligjore. Procedura ishte shpallur nga Gjykata e Lartë më datë 26.06.2026 dhe u zhvillua në përputhje me ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Objekt i procesit ishte zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e gjyqtarëve të gjykatave të ndryshme: një gjyqtar nga gjykatat e shkallës së parë, një gjyqtar nga gjykatat e apelit dhe një gjyqtar nga radhët e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Pas verifikimit të përmbushjes së kritereve ligjore, Gjykata e Lartë publikon emrat e kandidatëve që janë konsideruar të kualifikuar për t’u zgjedhur. Lista përfshin emrat dhe organe ku shërbejnë këta gjyqtarë, si më poshtë: Arbena Ahmeti – Gjykata e Lartë; Sandër Simoni – Gjykata e Lartë; Igerta Hysi – Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar; Fatri Islamaj – Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Matilda Llangozi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Brunilda Kadi – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë; Manjola Xhaxho – Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Në njoftimin e Gjykatës së Lartë përcaktohet gjithashtu data e zhvillimit të Mbledhjes së Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku do të bëhet zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor: 25 shtator 2026, ora 10.00. Njoftimi bazohet në procesin e verifikimit sipas legjislacionit përkatës dhe shënon përmbylljen e fazës së parë të procedurës për përzgjedhjen e kandidatëve që do të konkurrojnë në këtë mbledhje për anëtarësim në Këshillin e Lartë Gjyqësor.

