FIFA ka sqaruar kohëzgjatjen e pushimit midis dy pjesëve për finalen e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, që do të luhet këtë të diel në stadiumin MetLife në New Jersey. Sipas institucionit të futbollit, pushimi nuk do të zgjasë më shumë se 17 minuta, pra vetëm dy minuta më shumë se pushimi standard i një ndeshjeje.
Federatat e Spanjës dhe Argjentinës janë njoftuar se prej këtyre 17 minutave rreth 11 minuta do t’u kushtohen performancave muzikore të artistëve të ftuar, në mesin e të cilëve përmenden Shakira, Madonna dhe Justin Bieber. Kjo në përgjigje të raportimeve se për shkak të numrit të performancave pushimi mund të zgjatej mbi 30 minuta; FIFA thekson se kjo nuk do të ndodhë.
Pjesa tjetër e kohës, rreth 6 minuta, do të përdoret për montimin dhe çmontimin e skenës së spektaklit muzikor, si dhe për ujitjen e fushës. Kujdesi për barin e stadiumit MetLife është shqetësim i stafit teknik të Spanjës, pasi në ndeshjet e mëparshme në këtë impiant fusha është konsideruar më e thatë se zakonisht, çka ka ndikuar në ritmin e lojës. Prandaj ujitja gjatë pushimit të finales shihet si një element i rëndësishëm për të garantuar kushte sa më të mira për të dy skuadrat.
Ligji për ndërprerjet e hidratimit mbetet i pandryshuar: për shkak të temperaturave të larta gjatë këtij Botërori, FIFA do të lejojë dy ndërprerje hidratimi, një në secilën pjesë të lojës. Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të jetë një nga ndeshjet më të ndjekura të turneut, dhe përveç përballjes sportive vëmendja është përqendruar edhe te organizimi spektakolar jashtë fushës.

