Ish-ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka bërë publik mocionin për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, ku propozon ndër të tjera një sistem proporcional kombëtar me lista të hapura, ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit dhe një reflektim mbi mënyrën e ushtrimit të pushtetit. Dokumenti përmban sugjerime institucionale dhe politike që synojnë ndryshime në modelin e përfaqësimit dhe në kufizimin e ndikimit të partive mbi strukturat shtetërore.
Gazetari Flogert Muça, i ftuar në emisionin “Top Story”, vlerësoi se iniciativa e Spiropalit po shërben për t’i dhënë një dorë Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama, në një moment kur, sipas tij, PS nuk është në ditët e saj më të mira. Muça nënvizoi përvojën e Spiropalit në politikë, duke thënë se ajo ka mbi 20 vjet aktivitet politik dhe se qëllimet e saj duket se reflektojnë synimin “shteti mbi partinë”.
Në komentet e tij, Muça theksoi se Spiropali nuk flet me nota revolte, por përcjell mesazhe shprese dhe prosperiteti: “Ajo nuk flet me nota revolte, ajo jep mesazhe shprese dhe prosperiteti. Analiza që unë i bëj qëllimeve të saj është: shteti mbi partinë. Ky është thelbi.” Ai shtoi se mënyra se si ajo ka vepruar tregon se po i jep një dorë partisë dhe liderit, jo në mënyrë të fshehtë: “Ka edhe lloj-lloj hajvanësh që nuk dinë. Është një moment politik ku PS dhe Rama nuk janë në ditët e tyre më të mira dhe Spiropali ka gjetur një mënyrë duke i dhënë një dorë, jo pas qafe. Kur e bën ballore, do të thotë që po i jep një dorë.”
Muça u pyet gjithashtu nëse kjo lëvizje është një luftë brenda radhëve apo një tentativë për t’i dhënë Ramës mend dhe zgjidhje. Ai vlerësoi se Spiropali po funksionon si një ndërmjetëse mes ngjarjeve në sheshe dhe projektit që, sipas tij, Rama po punon dhe ende nuk e ka bërë publik. Teksti është transmetuar nga Top Channel.

