Në malin e Sevranit, Skrapar, raportohet një prishje masive e mjedisit ku një kompani e licencuar për shfrytëzimin e pyllit dyshohet se ka prerë pa kriter qindra pemë, duke shkelur procedurat ligjore për administrimin e fondit pyjor. Pamjet e siguruara nga emisioni Fiks Fare tregojnë stiva drush të vendosura përgjatë rrugës, me gjatësi që arrijnë deri në 10 metra, dhe sipërfaqe të tëra të zhveshura nga pemët. Punëtorët që vijonin prerjen largohen sapo konstatojnë praninë e dronit.
Dy punëtorë, të kontaktuar nga gazetarët, pranojnë se nuk kanë parë pemë të damkosura përpara prerjes. Ata deklarojnë se njohin vetëm emrin e pronarit të firmës, Sokol, ndërsa njëri prej tyre thotë se ka punuar prej vitesh në sektorin pyjor dhe se në raste të tjera pemët që duheshin prerë ishin të identifikuara më parë nga autoritetet. “Kam punuar gjithë jetën në pyje. Kur kam punuar në Korçë, pemët ishin të damkosura. Këtu po i presim vetë dhe jemi munduar të lëmë ndonjë pa prerë”, shprehet ai.
Pronari i firmës mbërriti përballë gazetarëve dhe deklaroi se disponon leje të rregullt shfrytëzimi. Kur u pyet se kush kishte përcaktuar pemët që duhej të priteshin dhe ku ndodheshin pemët e damkosura, ai së pari pretendoi se procedurat ishin ndjekur, por nuk arriti të tregonte asnjë pemë të damkosur në terren, dhe në fund kërkoi ndërprerjen e xhirimeve.
Drejtori i shërbimit pyjor pranë Bashkisë Skrapar pranoi se pemët nuk ishin damkosur, ndonëse kjo është një procedurë e detyrueshme përpara çdo prerjeje. Ai bëri të ditur se firma është e pajisur me leje për prerje drush zjarri dhe se inspektori i zonës ka kryer kontroll, por procesverbalin përkatës nuk e ka dorëzuar ende. Drejtori premtoi se do të dilte menjëherë në terren për të verifikuar situatën dhe për të marrë masa ndaj firmës nëse konstatohen shkelje.
Pas interesimit të gazetarit, edhe kryetari i Bashkisë Skrapar u vu në dijeni të rastit dhe premtoi verifikimin e plotë të procedurave dhe marrjen e masave administrative ndaj çdo personi apo institucioni që ka shkelur ligjin, duke pranuar përgjegjësinë institucionale për situatën e krijuar.

