Një 18-vjeçar në Britani u dënua me tre vjet burg pasi përplasi me makinë një këmbësor 84-vjeçar, e la të plagosur rëndë dhe u largua nga vendi i aksidentit pa ofruar ndihmë. Pas ngjarjes, i riu u kthye në shtëpi, porositi pica dhe i dërgoi miqve mesazhe zanore në të cilat pranonte se mund të kishte goditur për vdekje një person.
Gjykata e Kurorës në Durham shpalli fajtor Sonny Horsfall për shkaktimin e lëndimeve të rënda me drejtim të rrezikshëm të automjetit, drejtim pa leje, pa siguracion dhe largim nga vendi i aksidentit. Përveç dënimit me burg, ai mori ndalim drejtimi për katër vjet.
Aksidenti ndodhi mbrëmjen e 22 prillit në Redcar, North Yorkshire. Sipas hetimeve, Horsfall humbi kontrollin e një Audi A4 të sapoblerë, doli në trotuar dhe goditi 84-vjeçarin Eddie, i cili po kthehej në shtëpi. Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur automjeti del nga rruga dhe përplas këmbësorin, ndërsa drejtuesi largohet menjëherë nga vendi i ngjarjes. Prokuroria njoftoi se i riu nuk kishte patentë, ishte i skualifikuar nga drejtimi dhe makina nuk ishte e siguruar.
Hetimet gjetën gjithashtu video në telefonin e tij ku shfaqej duke drejtuar me shpejtësi të lartë, kryer parakalime të rrezikshme dhe kaluar semaforë me dritë të kuqe. Në njërën video ai dëgjohet të thotë: “Sapo e bleva këtë bishë”, dhe në një tjetër: “Në djall me dritën e kuqe.” Rreth dy orë pas aksidentit, përmes Snapchat-it ai i dërgoi një miku mesazh zanor: “Nuk e di çfarë godita… po ha pica”, ndërsa në një tjetër pranoi se mendonte se mund të kishte goditur rëndë ose vrarë një person.
Si pasojë e përplasjes, 84-vjeçari pësoi fraktura të shumta në legen, shpinë dhe këmbën e djathtë. Ai kaloi disa ditë në kujdes intensiv dhe, edhe pas një operacioni, vazhdon të ketë vështirësi të mëdha në lëvizje, përdor ndihmëse për ecje dhe vuan nga dhimbje të vazhdueshme.

