Alejandro Garnacho është objektivi kryesor i Romës për repartin ofensiv. Sulmuesi argjentinas, i lindur në vitin 2004, pritet të largohet nga Chelsea gjatë kësaj merkatoje, ndërsa klubi italian ka bërë lëvizjen e parë zyrtare.
Sipas Il Messaggero, Roma ka paraqitur një ofertë që parashikon 5 milionë euro për huazimin e lojtarit, plus 35 milionë euro për blerjen e tij, e cila do të bëhej e detyrueshme në përfundim të marrëveshjes — në total 40 milionë euro. Chelsea e ka refuzuar menjëherë këtë propozim, duke kërkuar të shesë Garnachon përfundimisht dhe duke synuar të paktën 50 milionë euro nga kartoni i tij.
Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, konfirmoi se lojtari është pranë largimit dhe tha: “Ka interes nga klube të tjera për të. Shpresoj që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë për të gjitha palët. Kemi folur me drejtuesit dhe ka disa skuadra që e kërkojnë”.
Roma, megjithatë, po mban të hapura edhe alternativa të tjera për forcuar krahun e sulmit. Një prej tyre është Crysencio Summerville, por West Ham nuk ka ndërmend të negociojë për më pak se klauzola prej 58 milionë paundësh. Në listën e verdhekuqve figuron edhe Nicolò Tresoldi, një profil i pëlqyer nga trajneri Gian Piero Gasperini, megjithëse karakteristikat e tij taktike nuk përputhen plotësisht me skemën aktuale të ekipit.
Një tjetër emër i përmendur është Diego Moreira. Sulmuesi i Strasburgut, i cili është në pronësi të grupit të Chelsea, vlerësohet rreth 40 milionë euro dhe thuhet se do ta mirëpriste një transferim te Roma, pasi ka refuzuar oferta nga klube jashtë Evropës.
Sipas mediave italiane, drejtuesit e Romës besojnë se përforcimi i ri për krahun e sulmit ka shumë gjasa të vijë pikërisht nga Chelsea, me Garnachon që mbetet objektivi numër një. Roma ka bërë një hap inicial me ofertën prej 40 milionë eurosh, por diferenca mes kërkesës së Chelseat dhe propozimit të Romës mbetet pengesë për arritjen e marrëveshjes.

