Interi ka humbur një tjetër shans për të forcuar krahun e djathtë të mbrojtjes, pasi transferimi i Anan Khalailit u bllokua për shkak të dështimit në testet e fitnesit. Klubi zikaltër kishte arritur një marrëveshje me Union Saint-Gilloise prej rreth 25 milionë eurosh, por lojtari nuk kaloi kontrollet mjekësore dhe marrëveshja është pezulluar. Lajmin e konfirmoi administratori i deleguar i Interit, Giuseppe Marotta, gjatë konferencës së parë për shtyp të sezonit, duke nënvizuar se në Itali zbatohen rregulla të rrepta për mbrojtjen e shëndetit të vendosura nga një palë e tretë dhe se klubi duhet t’u përmbahet vendimeve të strukturave përkatëse.
Khalili, i lindur në vitin 2004, kishte mbërritur në Milano të premten për kontrollet rutinë mjekësore. Pas rezultateve fillestare u kërkuan ekzaminime të mëtejshme nga strukturat e CONI-t për të përcaktuar nëse lojtari mund të merrte lejen për të luajtur. Interi njoftoi me keqardhje pezullimin e transferimit dhe po shqyrton alternativat për pozicionin e mbrojtësit të djathtë.
Problemet në këtë pozicion kishin nisur më herët, pasi klubi kishte humbur mundësinë për të firmosur me Palestrën, i cili zgjodhi transferimin te Chelsea. Largimi i Denzel Dumfries drejt Real Madridit gjithashtu ka detyruar drejtuesit zikaltër të rikthehen në merkato për të plotësuar boshllëkun në krahinën e djathtë të mbrojtjes.
Pas dështimit me Khalailin, emri kryesor në listën e Interit është ai i Guela Doué. Mbrojtësi 23-vjeçar i Strasbourgut, që ishte pjesë e përfaqësueses së Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës, konsiderohet një nga alternativat më të forta. Doué, vëllai i Désiré Doué të PSG-së dhe Francës, raportohet të ketë një vlerë rreth 40 milionë euro. Ai përshkruhet si profil më mbrojtës se Khalaili dhe mund të luajë si mbrojtës i krahut në një skemë me katër mbrojtës.

