Pas vrasjes së liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, tensionet kanë marrë përmasa të reja, ndërsa gazeta iraniane Hamshari, e lidhur me Bashkinë e Teheranit, publikoi një “listë të zezë” me udhëheqës që e konsideron përgjegjës për vdekjen e tij. Në publikim shfaqen 13 liderë dhe zyrtarë të lartë, të paraqitur me uniformat portokalli të të burgosurve amerikanë, dhe mbi fotografitë e tyre shkruhet në persisht fraza “Hakmarrja është e pashmangshme”. Mesazhi përmban edhe paralajmërimin: “Kriminelët do ta marrin me vete në varr dëshirën për një vdekje paqësore”, një referencë për një fund të dhunshëm.
Në krye të listës vendosen kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të cilët shfaqen edhe me një shenjë objektivi mbi ballë. Përveç tyre, Hamshari përfshin në listë kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni; kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer; presidentin e Francës, Emmanuel Macron; kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz; sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio; sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth; komandantin e CENTCOM-it, Brad Cooper; ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee; ministrin izraelit të Mbrojtjes, Israel Katz; ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gideon Sa’ar; dhe shefin e Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Eyal Zamir.
Publikimi përfshin imazhe dhe paraqitje vizuale të personazheve në uniforma portokalli dhe me shenja objektivi, duke forcuar mesazhin e hakmarrjes. Ky publikim erdhi në të njëjtën ditë kur lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, bëri thirrje për hakmarrje ndaj atyre që, sipas Teheranit, janë përgjegjës për vrasjen e babait të tij. Deri më tani nuk ka pasur reagime zyrtare nga liderët e përfshirë në listë. Publikimi perceptohet si një sinjal të mëtejshëm të përshkallëzimit të retorikës mes Iranit dhe vendeve perëndimore.

