Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, gjykata ka caktuar masa sigurie të ndryshme për 12 persona të dyshuar për falsifikim dokumentesh për të përfituar prona. Hetimi, i nisur në vitin 2022 pas problematikave të konstatuara gjatë inventarizimit të regjistrave hipotekorë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Durrës, ngriti dyshime për falsifikim dhe regjistrim të paligjshëm të pasurive.
Sipas hetimeve, skema dyshohet të jetë përdorur për përvetësimin e pronave në gjashtë raste në zonën kadastrale 1574, në zonën e Kallmit dhe ish-NB Frutore në Durrës, një zonë me interes për shkak të pozicionit bregdetar. Prokuroria dyshon se disa persona, në bashkëpunim me punonjës të ASHK Durrës, kanë falsifikuar dokumentacionin e pronave, duke futur në arkiv dokumente të manipuluara me numra reference të dyfishta dhe më pas duke i regjistruar në regjistrat e pasurive me data fiktive. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në disa raste janë hequr fletët origjinale të regjistrave, ku pasuritë rezultonin me pronar “shtetin”, dhe ato janë zëvendësuar me dokumente të falsifikuara në emër të personave nën hetim. Më pas, disa prej këtyre pronave dyshohet se janë shitur te persona të tretë. Nga ana tjetër, disa punonjës të ASHK Durrës dyshohet se kanë regjistruar këto pasuri duke përdorur dokumentacion të falsifikuar dhe pa kryer verifikimet ligjore të nevojshme.
Gjykata vendosi masën “Arrest me burg” për shtetasit R.SH., A.K., B.Z. dhe R.Z., të dyshuar për veprat penale të ndryshme, përfshirë mashtrimin, falsifikimin e dokumentave, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Masën “Arrest në shtëpi” e morën Sh.Sh., V.M., A.M. dhe B.XH., të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim dokumentesh. Për F.XH., J.M., L.D. dhe A.C. u vendos masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, të dyshuar për mashtrim, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe/ose shpërdorim detyre, sipas rasteve.
Gjithashtu, me kërkesë të Prokurorisë u vendosën sekuestro preventive ndaj një serie pasurish në Durrës, përfshirë pasuritë me Nr. 276/1 (27.550 m2), 147/8 (14.228 m2), 39/7 (6.000 m2), 462/12 (3.800 m2), 143/21 (5.500 m2), 143/22 (5.500 m2), 276/91 (500 m2), 276/84 (7.000 m2), 276/89 (500 m2), 276/90 (500 m2), 276/88 (500 m2), 276/87 (3.000 m2) dhe 276/85 (6.000 m2).

