Anglia do të luajë pa Jarrell Quansah për dy ndeshje, pas ndëshkimit me karton të kuq direkt gjatë ndeshjes së 1/8 të finales kundër Meksikës. Komisioni i Disiplinës e ndëshkoi mbrojtësin e Tre Luanëve me dy ndeshje skualifikim për shkelje të nenit 14 të Kodit Disiplinor të FIFA.
Sipas nenit 69 të po të njëjtit kod, dënimi do të jetë i zbatueshëm në ndeshjet e radhës së kombëtares angleze në Botëror, që zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Si pasojë, Quansah nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e çerekfinales kundër Norvegjisë dhe do të mungojë edhe në një gjysmëfinale të mundshme në këtë kompeticion.
Vendimi i FIFA bashkëngjitet një precedenti të fundit, duke rikthyer në vëmendje rastin e sulmuesit të SHBA, Balogun. Ai u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj Bosnjës dhe për pasojë ishte automatikisht i skualifikuar për ndeshjen e radhës. Megjithatë, FIFA vendosi të pezullonte efektin e sanksionit të tij për një vit, duke e lejuar Balogun të luante rregullisht në sfidën pasuese kundër Belgjikës. Ky vendim shkaktoi polemika të forta, pjesërisht për shkak të deklaratave se presidenti amerikan Donald Trump kishte telefonuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, për t’i kërkuar rishqyrtimin e masës disiplinore.
Ndryshe nga ky rast, për Quansah FIFA konfirmoi sanksionin dhe nuk lejoi asnjë pezullim të skualifikimit, duke bërë që dënimi të mbetet i menjëhershëm dhe i paprekshëm për ndeshjet e ardhshme të Anglisë në Botëror.
(Top Channel)

