Thikat, shkopinjtë e bejsbollit dhe dorezat metalike po përdoren shpesh nga adoleshentët dhe të rinjtë, duke i kthyer këto mjete jo-zyrtare në rrezik real për jetën në konflikte të çastit. Paraditen e kësaj të enjteje në Korçë, një 42-vjeçar u plagos në qafë me thikë nga një 54-vjeçar për motive të dobëta; autori u prangos dhe i plagosuri është nën kujdesin e mjekëve të Spitalit të Traumës. Dy ditë më parë, një 16-vjeçar në Kamëz goditi dy herë me thikë xhaxhain e tij, pasi ky i fundit e kishte kapur duke konsumuar lëndë narkotike.
Rasti më dramatik i përdorimit të armëve të ftohta nga adoleshentët përmendet në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, pas një konflikti mes bashkëmoshatarësh që nisi në rrjetet sociale dhe vijoi jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli”. Megjithatë, përdorimi i thikave nuk kufizohet vetëm te të rinjtë: ato po shfaqen gjithnjë e më shpesh si “zgjidhje” për mosmarrëveshje banale mes të rriturve, ku një debat për parkimin, një koment në rrjetet sociale ose një fjalë e thënë më shumë mund të përfundojnë me plagosje ose vdekje. Në muajin shkurt, në Tiranë, Egli Pashollari humbi jetën pasi u godit me thikë gjatë një konflikti për bllokimin e rrugës me makinë.
Bilanci i Policisë së Shtetit reflekton këtë prirje në rritje: gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit janë evidentuar 499 raste të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta dhe krime të kryera me to. Megjithë rritjen e incidenteve dhe ngjarjeve të shkaktuara prej këtyre armëve, shumica dërrmuese e këtyre krimeve janë zbardhur dhe autorët janë vënë në pranga.

