Përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pësuan një pengesë pasi ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së nuk arritën të siguroni unanimitetin për hapjen e Klasterit 3, që përqendrohet te konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse. Sipas diplomatëve evropianë, tetë nga 27 shtetet anëtare kundërshtuan hapjen: Holanda, Suedia, Finlanda, Belgjika, Estonia, Lituania, Bullgaria dhe Kroacia. Danimarka, Luksemburgu dhe Letonia nuk e kundërshtuan plotësisht, por kërkuan garanci shtesë për progresin e Serbisë, ndërsa vende si Franca mbeten mbështetëse të integrimit evropian të Beogradit; presidenti francez Emmanuel Macron ka thënë se Bashkimi Evropian ka nevojë për një “Serbi të fortë dhe demokratike”.
Sipas burimeve diplomatike, kundërshtimet lidhen kryesisht me problematikat e vazhdueshme në sundimin e ligjit, reformën e drejtësisë dhe mosharmonizimin me sanksionet e BE-së kundër Rusisë pas pushtimit të Ukrainës. Megjithatë, Komisioni Evropian vlerëson se Beogradi ka bërë përparim në disa fusha, përfshirë ndryshimet në legjislacionin për drejtësinë, lirinë e medias, reformën zgjedhore dhe bashkëpunimin me BE-në në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Komisioni thekson gjithashtu se Serbia ka ndihmuar në parandalimin e shmangies së sanksioneve ndaj Rusisë, ka ofruar mbështetje për Ukrainën dhe ka intensifikuar kontaktet politike me Kievin, megjithëse ende nuk është bashkuar zyrtarisht me regjimin e sanksioneve të BE-së kundër Moskës.
Në të njëjtën ditë, Parlamenti Evropian miratoi me shumicë të gjerë raportin për zgjerimin 2025 me 468 vota pro, 116 kundër dhe 79 abstenime. Raporti kërkon nga Serbia të përshpejtojë reformat në sistemin zgjedhor, të forcojë pavarësinë e gjyqësorit dhe të luftojë korrupsionin, ndërsa vlerëson se teknikisht Klasteri 3 është gati për t’u hapur. Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se situata në vend është përkeqësuar gjatë viteve të fundit dhe se ritmi i reformave është ngadalësuar ndjeshëm: “Ndërsa Mali i Zi dhe Shqipëria po ecin përpara në negociatat e anëtarësimit, reformat e Serbisë në fushat kyçe, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe standardet demokratike, kanë ngecur.”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se vendi mbetet i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe se autoritetet do të shqyrtojnë të gjitha kërkesat dhe rekomandimet e BE-së për të vijuar procesin e anëtarësimit.

