Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u ka garantuar aleatëve të NATO-s se Uashingtoni do të vazhdojë të jetë pjesë e Aleancës Atlantike. Deklarata u bë gjatë takimit me dyer të mbyllura të liderëve në samitin e NATO-s në Ankara, sipas burimeve të cituara nga Reuters. Sipas një burimi, Trump u është drejtuar homologëve me fjalët: “Ne duam të qëndrojmë me ju”, duke dërguar një mesazh qetësues për të ardhmen e rolit të SHBA-së në aleancë.
Gjatë samitit ai deklaroi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të vazhdojnë furnizimin me armë për vendet aleate. Burimet bëjnë të ditur se ai nuk shpalli përfundimin e marrëveshjes së përkohshme të armëpushimit me Iranin dhe nuk përmendi çështjen e Groenlandës, e cila më parë kishte shkaktuar tensione mes SHBA-së dhe disa vendeve anëtare të NATO-s.
Në përfundim të mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut, Trump mori sërish fjalën dhe, sipas një burimi aleat të cituar nga ANSA, u shpreh se ishte “shumë i impresionuar” nga deklaratat e liderëve të NATO-s. Ai tha gjithashtu: “E ndjeva dashurinë në këtë dhomë”, dhe shtoi se do kishte dashur që edhe mediat të ishin të pranishme për të parë atmosferën e takimit.
Në deklaratën përfundimtare të samitit, krerët e shteteve dhe qeverive njoftuan miratimin e mbi 50 miliardë dollarë kontrata të reja për sektorin e mbrojtjes. Liderët u angazhuan të rrisin kapacitetet e përbashkëta prodhuese ushtarake dhe të bashkëpunojnë më ngushtë me industrinë e mbrojtjes për të përshpejtuar inovacionin teknologjik. Dokumenti përfundimtar thekson gjithashtu vazhdimin e punës për eliminimin e barrierave tregtare në sektorin e mbrojtjes mes vendeve anëtare dhe forcimin e partneriteteve industriale në kuadër të NATO-s.
Udhëheqësit riafirmuan angazhimin e tyre të plotë ndaj nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit, duke përsëritur: “Një sulm ndaj njërit është sulm ndaj të gjithëve. Uniteti, solidariteti dhe forca jonë kolektive mbeten themeli i paqes, sigurisë dhe prosperitetit për rreth një miliard qytetarë të vendeve të NATO-s”. Liderët ritheksuan gjithashtu se aleanca do të ndjekë një qasje 360-gradëshe për forcimin e aftësive parandaluese dhe mbrojtëse përballë sfidave të reja të sigurisë globale.

