Një gropë e madhe me diametër rreth nëntë metra u hap të martën në mëngjes në lagjen Sant Gervasí–La Bonanova në Barcelonë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë banorët e pesë pallateve si masë sigurie. Shembja e tokës ndodhi në oborrin e një kompleksi banesash pranë zonës ku po kryhen punime për zgjerimin e linjës L9 të metrosë. Menjëherë në vendngjarje mbërritën gjashtë mjete të zjarrfikësve, ndërsa ekipet teknike nisën mbushjen e gropës me beton për të stabilizuar terrenin dhe për të shmangur rrezikun për ndërtesat përreth.
Hetimet paraprake tregojnë se fundosja e tokës mund të jetë lidhur me punimet në zonë, megjithëse autoritetet nuk kanë dhënë një konfirmim përfundimtar. Teknikët raportuan se tuneli i metrosë në këtë pjesë është tashmë i ndërtuar dhe linja vijon të funksionojë normalisht, por instrumentet kanë regjistruar një rritje të lëvizjeve vertikale të tokës, çka forcon dyshimet për lidhjen me punimet e zgjerimit të L9. Ata sqaruan gjithashtu se incidenti ndryshon nga shembja e madhe e ndodhur në lagjen Carmel në vitin 2005.
Banorët thanë se kishin vënë re çarje në apartamente ditët e fundit. Një grua raportoi se katër ditë më parë kishte shfaqur një çarje të gjatë nga tavanit deri në dysheme dhe se dera e banesës nuk mbyllej si më parë. Ajo përshkroi momentin e shembjes: rreth orës 09:00 dëgjoi dy zhurma të forta të shoqëruara me dridhje, ndërsa rreth një orë më vonë zjarrfikësit kërkuan largimin nga ndërtesa. Po ashtu, një punonjëse e një picerie pranë vendit të ngjarjes tha se pjesa e pasme e lokalit ishte shembur dhe banjoja ishte përthithur nga gropa.
Banorët e evakuuar u sistemuan përkohësisht në një qendër lokale, ndërsa autoritetet ngritën një pikë informacioni për t’i mbajtur të përditësuar mbi zhvillimet. Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve të Barcelonës deklaroi se evakuimi u krye si masë paraprake dhe se zona po monitorohet vazhdimisht për të evidentuar çdo lëvizje të re të tokës. Ende nuk dihet se kur banorët do të mund të rikthehen në banesat e tyre.

