Barbara Broccoli tha se u detyrua të shesë shtëpinë e familjes dhe jeton nën frikë të vazhdueshme pas një fushate përndjekjeje që zgjati rreth 10 vjet. Deklarata erdhi pas vendimit të një gjykate në Londër që dërgoi në mënyrë të pacaktuar në një spital psikiatrik Daniel Wilson, 37 vjeç, i shpallur fajtor për përndjekje të rëndë dhe shkelje të një urdhri ndalimi kontakti ndaj producente-s.
Prokuroria tha se Wilson kontaktoi në mënyrë të vazhdueshme dhe shqetësuese Broccoli-n, duke dërguar qindra mesazhe në WhatsApp, email-e dhe mesazhe zanore nga numra të ndryshëm. Gjykata dëgjoi se fushata e tij ishte “e pamëshirshme dhe shqetësuese”, me përmbajtje që varionte nga e çuditshme në seksuale dhe kërcënuese. Gjatë një seance vitin e kaluar ai bëri bujë duke thënë: “James Bond nuk mund të ketë vdekur”, duke iu referuar filmit “No Time to Die”.
Gjykata vuri në dukje se Wilson kishte thyer urdhrin e ndalimit duke lënë mesazhe zanore kërcënuese për Broccoli nga një repart spitalor në ditën e Shën Valentinit dhe duke publikuar në rrjetet sociale një postim me përmbajtje seksuale ku përfshinte emrin dhe të dhënat e kontaktit të saj. Në deklaratën e saj për gjykatën, Broccoli tha se përndjekja kishte ndikuar rëndë në jetën e saj personale dhe profesionale: “Ai ka shkaktuar ankth dhe shqetësim të madh. Jetoj në frikë të vazhdueshme për sigurinë time personale, jam gjithmonë në gatishmëri dhe shoh pas shpine.” Producentja tha se u detyrua të shiste shtëpinë ku jetonte për 20 vite dhe se kishte frikë të merrte pjesë në evente publike, si premiera filmash.
Gjykata mësuan se Wilson kishte njohur Broccoli-n pasi ishte miqësuar me djalin e saj në shkollën e mesme; pas përfundimit të miqësisë në 2009 ai zhvilloi fiksim ndaj saj. Ai kishte dërguar një bust bronzi të babait të saj, Albert “Cubby” Broccoli, në derë dhe më pas kërkonte pagesë, si dhe pretendonte të kishte kontribuar në skenarin e “Skyfall”. Në 2016 ai hyri me forcë në shtëpinë e Broccoli-t, duke shkaktuar dëme dhe duke detyruar dy miq të saj të barrikadoheshin. Pas këtij incidenti u vendos një urdhër ndalimi në 2017.
Gjykatësi Christopher Hehir tha se Wilson ka “probleme të thella mendore që datojnë prej shumë vitesh” dhe vendosi mbajtjen e tij pa afat në spitalin psikiatrik sipas ligjit britanik për shëndetin mendor. Gjatë seancës, Wilson ndërpreu disa herë dhe bërtiti rreth bustit bronzi para se të ndërpritej lidhja video. Barbara Broccoli është një figurë kryesore e sagës James Bond; babai i saj bleu të drejtat e romanit në 1961, ajo u përfshi në produksion që në moshën 17-vjeçare dhe ka qenë producente qysh prej “GoldenEye” (1995). Vendimi vjen pas një periudhe personale të vështirë për producenten.

