Kryeministri Edi Rama, në podkastin “Flasim”, reagoi ndaj intervistës së tij për Deutsche Welle, të cilën e quajti të ndikuar nga informacionet e pavërteta rreth projektit të lidhur me Jared Kushner. Rama tha se gjatë vizitës në Bochum për samitin “Ruhr Summit” u përball me pyetje për këtë çështje dhe sqaroi se Zvërneci është tokë private, ndërsa Sazani është pronë e shtetit dhe marrëveshja për Sazanin nuk është mbyllur.
Ai theksoi se shteti shqiptar do të mbetet pronar i tokës dhe do të jetë partner në ndonjë sipërmarrje, ndërsa çdo zhvillim do t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit në mjedis dhe monitorimit nga Komisioni Europian. Sipas tij, nuk është kërkuar shitja e tokës publike dhe nuk ka arsye që toka publike të privatohet. Rama kundërshtoi edhe pretendimet për sakrificë të kërkuar ndaj standardeve të Bashkimit Europian, duke i cilësuar si një “hata e madhe logjike”.
Rama përmendi vizitën në Bochum, ku ishte i ftuar për të prezantuar transformimet e Shqipërisë në fushën e digjitalizimit dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale, si dhe takimin me kryeministrin e landit, Hendrik Wüst, me të cilin diskutoi për procesin e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë.
Duke i komentuar pyetjet e gazetares së Deutsche Welle, Rama tha se ajo kishte “gëlltitur” pretendime të pavërteta për Zvërnecin dhe për marrëdhënien mes qeverisë dhe kompanisë që përfaqësohet nga Kushner, dhe e lidh këtë me grupe që përdorin Shqipërinë si arenë për t’u marrë me çështje të tjera politike. Ai nënvizoi se mandati i qeverisë është drejt anëtarësimit në BE dhe se ky mision nuk do të komprometohet me zhvillime që bien ndesh me kriteret e BE-së.
Në përfundim, Rama siguroi se procesi do të kryhet në harmoni me standardet dhe monitorimin e Komisionit Europian, që sipas tij deri tani nuk ka dhënë sinjale alarmi.

