Në një fazë rishikimi strategjik të marrëdhënieve transatlantike, me SHBA që kërkon më shumë përgjegjësi nga aleatët për barrën e sigurisë kolektive, Shqipëria rezulton ndër vendet që përmbushin dhe tejkalojnë standardet e NATO-s. Mesazhi politik i SHBA-së është se në arkitekturën e re të sigurisë, kontributi konkret do të jetë elementi përcaktues në marrëdhëniet me aleatët.
Gjatë një interviste në Fox News, ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, publikoi një tabelë me nivelin e shpenzimeve ushtarake të vendeve të aleancës për periudhën 2014–2025. Në atë tabelë, Shqipëria shfaqet me 570.3 milionë dollarë shpenzime për mbrojtjen, duke u renditur mes vendeve që kontribuojnë në barrën e përbashkët të sigurisë. Whitaker theksoi rëndësinë e angazhimit të aleatëve në aspektin operacional dhe strategjik: “Mendoj se shumica e aleatëve tanë, në fakt të gjithë aleatët tanë në NATO, po na japin bazat, aksesin dhe mbështetjen ajrore që na nevojitet”.
Deklarata e tij vjen ndërsa administrata amerikane po zhvillon një rishikim të gjerë të pranisë së saj ushtarake në Evropë, duke vlerësuar jo vetëm pozicionimin e trupave dhe bazave, por edhe nivelin e bashkëpunimit me vendet aleate. Për NATO-n, treguesi kyç mbetet jo vetëm vlera absolute e buxheteve, por raporti i tyre me Prodhimin e Brendshëm Bruto; standardi minimal i aleancës është 2% e PBB-së, objektiv që Shqipëria e arrin dhe e tejkalon.
Sipas Aktit Normativ të Buxhetit 2026, shpenzimet totale për mbrojtjen arrijnë në 2.6% të PBB-së, ndërsa shpenzimet bazë të mbrojtjes (“core defence”) janë 2.2%, mbi pragun minimal të aleancës. Akti parashikon gjithashtu forcim të kapaciteteve mbrojtëse përmes shtimit të 300 efektivëve të rinj ushtarakë dhe një rritjeje prej 10.3 miliardë lekësh në investime dhe operacione.
Kombinimi i pranisë së Shqipërisë në tabelën e Whitaker dhe shifrat zyrtare që tregojnë mbulim mbi standardin 2% forcon pozicionin e vendit si një aleat i besueshëm, aktiv dhe me peshë në strukturën e sigurisë euroatlantike.

