Granit Pepnikaj u arrestua nga Policia e Vlorës në Dhërmi, ku rezultonte i fshehur në një rezidencë. Policia njofton se gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa.
Si rezultat i ndjekjes me metoda proaktive të veprimtarisë kriminale, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrjetet”. Në kuadër të këtij operacioni, mesditën e sotme, në zonën e Drimadhës u kapën shtetasit Granit Pepnikaj, 29 vjeç, dhe Xh. H., 31 vjeç, të shpallur në kërkim.
Shtetasi Granit Pepnikaj, 29 vjeç, ishte i kërkuar pasi me vendim të datës 30.04.2026 Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” si i dyshuar për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. Shtetasi Xh. H., 31 vjeç, ishte i kërkuar pasi me vendim të datës 13.04.2026 Gjykata e Tiranës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” si i dyshuar për të njëjtën vepër penale.
Gjatë kontrollit të ushtruar në vilën ku qëndronin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar cannabis sativa. Në momentin e arrestimit të këtyre shtetasve u kap dhe u arrestua në flagrancë, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, shtetasi R. R., 28 vjeç, banues në Tiranë.
Materialet procedurale lidhur me ngjarjen iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

