Presidenti i Kepit të Gjelbër, Jose Maria Neves, shprehu admirim të hapur për Lionel Messin dhe premtoi se do t’i dorëzojnë një fanellë të përfaqësueses së vendit me numrin 10 dhe emrin e tij. Neves e përshkroi Messin si një prej idhujve të tij dhe si të tillë për miliona njerëz në botë, duke e cilësuar këtë dhuratë si një çmim për “futbollistin më të mirë në botë”. Ky deklarim u bë në prag të ndeshjes që skuadra e Kepit të Gjelbër do të luajë kundër Argjentinës në raundin e 1/16 të finaleve të Botërorit.
Megjithë admirimin për Messin, Neves theksoi se kombëtarja e Kepit të Gjelbër, e njohur edhe si “Peshkaqenët blu”, synon të japë maksimumin në fushë. Ai u shpreh i krenar për paraqitjet e skuadrës në Botëror dhe vuri në dukje se kualifikimi në këtë fazë përfaqëson tashmë një arritje të rëndësishme për vendin e tij. Neves përmendi se në këtë Kupë Bote skuadra e Kepit të Gjelbër është përballur më kampionë si Spanja dhe Uruguaji, dhe se tani do të përballet me Argjentinën, një tjetër kampione e madhe, duke i bërë thirrje ekipit që të përpiqet të japë më të mirën në fushë.
Homazhi ndaj Lionel Messit nuk ishte i vetmi gjest i delegacionit të Kepit të Gjelbër gjatë këtij Botërori. Para fillimit të ndeshjes me Uruguajin e drejtuar nga Marcelo Bielsa, trajneri i Kepit të Gjelbër, Pedro Leitão Brito, u kap nga telekamerat teksa i dorëzonte një dhuratë simbolike vetë Bielsas. Pas ndeshjes, trajneri shprehu respekt për punën e Bielsa-s, duke e cilësuar atë si një “maestro” dhe duke thënë se, si me trajnerë të tjerë, ai ka studiuar atë që Bielsa ka bërë gjatë karrierës së tij.
Lajmi është përgatitur nga Top Channel.

