Po mbahet dita e 33-të e protestës në kryeqytet, e njoftuar për në orën 19:00, pas asaj që u zhvillua paraditen e së enjtes para Kuvendit. Itenerari i ditës ishte i njëjtë: pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej” protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u stacionuan para Kryeministrisë, ku po mbahen fjalimet. Një nga folësit deklaroi se, duke pasur seancë plenare, protestuesit ishin te Kuvendi për t’i thënë deputetëve se “nuk jeni përfaqësuesit tanë” dhe shtoi se për protestën e ditës ishin lajmëruar qytetarët të ishin të pajisur me vezë dhe miell për të goditur deputetët që sipas tyre nuk i përfaqësojnë. Sipas përshkrimit të protestuesve, ata janë dhunuar nga “policia private e Manjës” dhe një nga protestuesit dyshohet se i është thyer hunda.
Gjatë zhvillimeve u vërejt se policia ishte bërë gati për arrestime. Pas arrestimit të disa djemve protesta vijoi, por më vonë qytetarët që ishin ulur para Parlamentit filluan të dhunoheshin papritur nga policia. Raportohet se Policia e Shtetit ndërhyri me dhunë, duke përdorur shkopinj gome dhe gaz lotsjellës. Një nga folësit deklaroi se dita tregoi që “Ramës dhe shtetit të tij kriminal i është sosur durimi” dhe se autoritetet po tentojnë të degradonin protestën, ndërsa protestuesit do të vazhdojnë “në mënyrë paqësore në bulevard si çdo ditë derisa të fitojmë. Dorëheqje”.
Pas tensioneve para Kuvendit, ku qytetarët kanë gjuajtur me vezë deputetët dhe janë përplasur me policinë, protestuesit u mblodhën sërish në shesh dhe diskutuam edhe për pjesëtarët e grupit të tyre që janë arrestuar. Nismëtari Alben Kola i bëri thirrje qytetarëve të mos provokoheshin nga policia dhe kërkoi paqësinë, duke u shprehur: “Kjo polici tregon që tani ndodhet para një dileme, t’i shërbejë mafias apo popullit. Duhet të jeni të vëmendshëm dhe mos të bini pre e provokimeve. Ne do e rrëzojmë Ramën me revolucion paqësor.” Top Channel.

