Pas denoncimeve të mëparshme për mashtrime me viza gjermane dhe për punëtorë të papaguar, çifti Alejda dhe Elton Dumani rikthehet në qendër të ankesave lidhur me mobilerinë “Luna”. Një qytetar nga Tirana, Ervin Zenelaj, i ka denoncuar ata në redaksinë e emisionit Fiks Fare, duke thënë se është mashtruar pas porosisë së një kuzhine dhe një etazhere. Sipas denoncuesit, ai ka paguar 2,800 euro, me premtimin se puna do të përfundojë brenda maksimumi dy muajsh; megjithatë kanë kaluar katër muaj dhe kuzhina nuk është përfunduar.
Zenelaj shpjegon se në dokumente si pronare figuron Alejda Dumani, ndërsa komunikimet dhe ndjekja e punimeve bëhen nga bashkëshorti i saj, Elton Dumani. Ai thotë se çdo kontakt me ta shoqërohet me justifikime dhe shtyrje të vazhdueshme të afateve. Pas insistimit të vazhdueshëm, atij i janë sjellë vetëm disa skelete të kuzhinës, të cilat kanë mbetur të pamontuara në një cep të banesës. “Jemi katër persona në familje dhe nuk kemi as ku të lajmë një gotë, as ku të gatuajmë. Kam kërkuar kthimin e parave, por nuk m’i japin”, shprehet denoncuesi në materialin e dërguar në redaksi.
Mesazhet e shkëmbyera me Elton Dumanin tregojnë një seri premtimesh dhe arsyetimesh për vonesat, ndërsa materialet dhe montimi vazhdojnë të mos përfundojnë. Gazetarët e Fiks Fare shkuan pranë mobilerisë “Luna”, ku gjetën vetëm një arkitekte; i kontaktuar në telefon, Elton Dumani premtoi se puna do të përfundonte të nesërmen. Megjithatë, edhe pas kalimit të një muaji nga ky premtim, kuzhina vazhdon të mbetet e papërfunduar.
Denoncuesi ka dërguar video në redaksinë e Fiksit që tregojnë se janë montuar vetëm skeletet e sjella më herët, ndërsa pjesa tjetër e punimeve mungon. Në komunikimet e fundit me qytetarin, Elton Dumani vijon të japë justifikime të reja, duke pretenduar se vonesat lidhen me tharjen e bojës së materialeve.

