Një avion i kompanisë JetBlue u përfshi në një incident gjatë uljes në Aeroportin Ndërkombëtar John F. Kennedy në Nju Jork, pasi piloti raportoi një përplasje të mundshme me një dron. FAA nisi një hetim për të zbardhur rrethanat. Sipas Autoritetit Federal të Aviacionit të SHBA-së, piloti i fluturimit 948, që vinte nga Las Vegasi për në Nju Jork, raportoi se avioni u godit nga një dron në një lartësi rreth 3,000 këmbësh (afërsisht 1,000 metra) gjatë afrimit përfundimtar për ulje në JFK, rreth orës 07:15 të së hënës sipas kohës lokale.
Kompania JetBlue konfirmoi se ekuipazhi raportoi një “kontakt të mundshëm me dron”, por theksoi se avioni u ul normalisht, pasagjerët zbritën pa probleme dhe mjeti u tërhoq nga shërbimi për t’iu nënshtruar një inspektimi teknik. Kontrollet nga teknikët nuk evidentuan dëmtime dhe nuk u gjetën shenja të një përplasjeje, sipas FAA-së dhe kompanisë ajrore.
Mediat amerikane publikuan komunikimet mes pilotit dhe kullës së kontrollit, në të cilat piloti shprehet se gjatë afrimit nuk mundi të fliste gjatë por “u përplasëm me një dron”. Kontrollori e pyeti menjëherë nëse përplasja kishte ndodhur, ndërsa piloti i tha se “na goditi pak mbi kabinën e pilotit.”
FAA njofton se çdo muaj regjistrohen më shumë se njëqind raste ku dronë fluturojnë pranë aeroporteve amerikane. Autoriteti ka vendosur ndalime të ashpra për përdorimin e dronëve pranë aeroporteve, avionëve, helikopterëve dhe objekteve të ndjeshme; shkelësit përballen me gjoba të larta dhe dënime penale që mund të përfshijnë edhe burg.
Lufta kundër dronëve është pjesë e masave të sigurisë edhe për Kupën e Botës 2026. Andrew Giuliani, drejtues i Shtëpisë së Bardhë për organizimin e turneut, tha se deri në mes të kompeticionit autoritetet kishin zbuluar 1,139 dronë në zona të ndaluara dhe kishin neutralizuar më shumë se 300 prej tyre.

