Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, iu drejtua magjistratëve të rinj duke kërkuar integritet, guxim dhe përulësi në ushtrimin e detyrës, duke theksuar se vendimet e tyre do të ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe besimin te sistemi i drejtësisë. Fjalimi u mbajt në Konferencën Kombëtare të Ndërveprimit të Drejtësisë me Mediat, ku Gonzato vlerësoi edhe rolin e Shkollës së Magjistraturës dhe shprehu mbështetjen e Bashkimit Evropian për institucionin.
Ai bëri të qartë se arritja e standardeve evropiane nuk varet vetëm nga miratimi i ligjeve, por edhe nga mënyra se si ato zbatohen përditë nga gjyqtarët dhe prokurorët. Gonzato e percepton përfundimin e fazës së shkollimit si një moment kalimi në jetën profesionale të magjistratëve, ku ata do të mbajnë pozicione të rëndësishme dhe do të ofrojnë shërbim publik. Çdo vendim i tyre, tha ai, përcakton jo vetëm zbatimin e ligjit, por edhe besimin që qytetarët do të kenë te sistemi i drejtësisë, element ky themelor i kontratës sociale.
Për të siguruar këtë besim, Gonzato kërkoi integritet, ndershmëri, guxim dhe përulësi, duke nënvizuar nevojën për vetëdije se ideja e parë mund të mos jetë gjithmonë e duhur. Ai theksoi se institucioneve u duhet, përveç ligjeve dhe rregulloreve, edhe një ndryshim kulture dhe mendësie për të funksionuar siç pritet.
Ambasadori shprehu dyshime nëse ky ndryshim i mendësisë është arritur deri tani dhe iu drejtua drejtpërdrejt brezit të ri të magjistratëve, duke thënë se është në dorën e tyre të përmbushin pritshmëritë për një sistem drejtësie që ofron vendime në kohë dhe me cilësi. Si përfundim, Gonzato theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të mbështesë Shkollën e Magjistraturës dhe të gjithë sistemin e drejtësisë në Shqipëri.

