Papa mbajti një mesazh të fortë kundër luftës gjatë homelisë së Meshës në Bazilikën e Shën Pjetrit, duke theksuar se konfliktet e armatosura nuk mund të justifikohen kurrë moralisht dhe nuk përfaqësojnë vullnetin e Zotit. Ai shprehu se “Lufta nuk është kurrë e denjë për njeriun dhe nuk është kurrë e bekuar nga Zoti”, duke vënë në dukje se Krijuesi i ka dhënë njeriut inteligjencë dhe vullnet për të zgjidhur konflikte si qenie njerëzore dhe jo si “kafshë, ndoshta të pajisura me armë hiperteknologjike”. Mesazhi theksonte përgjegjësinë morale të njerëzimit për të shmangur dhunën.
Ati i Shenjtë nënvizoi po ashtu se uniteti i familjes njerëzore duhet të qëndrojë mbi ndarjet politike dhe kombëtare, duke e cilësuar këtë unitet si një parim themelor që duhet të udhëheqë marrëdhëniet ndërkombëtare dhe vendimmarrjen globale. “Uniteti i familjes njerëzore u paraprin popujve dhe shteteve individuale. Nuk është vetëm një fakt biologjik, është një parim etik”, tha Papa, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të rikthejë vëmendjen tek vlerat e solidaritetit dhe bashkëjetesës paqësore.
Fjalimi u mbajt gjatë Meshës që shënoi hapjen e Koncistorit të Jashtëzakonshëm, një mbledhje e rëndësishme e kardinalëve të Kishës Katolike. Në vijim të seancës së parë të punës, diskutimet u përqëndruan te situata ndërkombëtare dhe krizat e shumta që po prekin botën aktualisht. Papa kërkoi reflektim më të thellë mbi rolin e Kishës dhe të udhëheqësve botërorë në ndërtimin e paqes, duke i ftuar pjesëmarrësit të shqyrtojnë përgjegjësitë e tyre në përballimin e sfidave globale.
Homelia dhe sesionet e Koncistorit theksuan nevojën për përparësi të vlerave etike dhe solidaritetit në politikën ndërkombëtare, si dhe rolin moral të institucioneve kishtare dhe udhëheqësve në promovimin e zgjidhjeve paqësore për konfliktet dhe krizave që ndikojnë botën.

