Në orët e mbrëmjes së djeshme dhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, 31 kursantë të Kolegjit Profesional të Formimit Policor në Akademinë e Sigurisë janë dërguar për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së, pas paraqitjes së simptomave si temperaturë dhe diarre. Ata kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe janë kthyer në Akademinë e Sigurisë në gjendje të mirë shëndetësore.
Mëngjesin e sotëm, në qendrën shëndetësore të Akademisë së Sigurisë janë paraqitur edhe 29 kursantë të tjerë të të njëjtit kolegj, të cilët janë dërguar gjithashtu për ndihmë mjekësore në Repartin Infektiv të QSUT-së. Autoritetet shëndetësore dhe institucionet përkatëse po ndjekin situatën për të sqaruar shkaqet e paraqitjes së simptomave.
Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor që po punon nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ky grup hetimor po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe për përcaktimin e përgjegjësive përkatëse. Hetimet synojnë sqarimin e të gjitha elementeve të ngjarjes dhe vazhdojnë punën për përcaktimin e shkaqeve dhe përgjegjësive.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuar nga kursantët, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate. Po ashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analiza mjekësore dhe pritet dalja e përgjigjeve laboratorike për të përcaktuar shkakun e problemeve shëndetësore që janë shfaqur.
Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, ndërsa institucionet e përfshira pritet të presin rezultatet e analizave laboratorike për të vijuar me veprimet e mëtejshme.

