Ali Ahmeti, në fjalën e tij në Kuvendin e BDI-së, vlerësoi rolin historik të Shqipërisë në mbështetjen e Kosovës dhe shprehu shqetësim për pasojat e zhvillimeve dhe protestave të fundit në vend, veçanërisht në sektorin e turizmit dhe në investime. Ai tha se ndikime të jashtme po ushtrojnë presion në këto zhvillime, duke përmendur Greqinë dhe Beogradin si burime të fushatave dhe reagimeve që po e dëmtojnë Shqipërinë.
Ahmeti theksoi se qëndrimi i tij nuk është një mbrojtje personale e kryeministrit Edi Rama, por një mbrojtje e interesit kombëtar të Shqipërisë. Sipas tij, Shqipëria ka luajtur rol kyç në strehimin dhe ndihmën për Kosovën dhe pa këtë mbështetje Kosova nuk do të ishte në gjendjen aktuale. Ai shprehu dhimbje për zhvillimet e fundit dhe paralajmëroi se ato po i japin Shqipërisë “dy goditje të forta”.
Kreu i BDI-së përqendroi vëmendjen te sektori i turizmit, që e konsideroi industrinë kryesore të Shqipërisë dhe objekt të goditjeve nga fushatat e jashtme, ndërsa si burim të parë të këtyre fushatave përmendi Greqinë, për shkak të rrezikut që po i krijohet turizmit. Po ashtu, Ahmeti tha se zëdhënësi i parë i kësaj fushate erdhi nga Beogradi dhe lidhi aktorë që organizojnë protesta në Serbi me fushatat kundër Shqipërisë.
Ai paralajmëroi se destabilizimi i brendshëm sjell pasoja për investimet e huaja dhe vendore, duke nënvizuar se investitorët nuk do të rrezikojnë kapitalin aty ku ka pasiguri. Ahmeti shtoi se disa nga ata që dalin në protesta mund të jenë të manipuluar dhe kanë rënë në “grackën e armiqve”, pa analizuar mirë pasojat që shkaktojnë për kombit, jo vetëm në Shqipëri por më gjerë. Në përmbyllje, ai përsëriti shqetësimin për ndikimet e jashtme dhe dëmet konkrete që po i shkaktohen ekonomisë dhe sigurisë së vendit.

