Tetis Lubonja, vajza e analistit Fatos Lubonja dhe ish-përgjegjëse juridike në Grupin e Agjencisë së Kthimit të Pronave, u paraqit si dëshmitare në Gjykatën e Posaçme të Krimeve të Rënda (GJKKO) në gjyqin e themelit për dosjen “Partizani”. Lubonja, e cila firmosi dokumentacionin për kthimin e kompleksit “Partizani” te pronarët, gjatë deklaratës së saj mohoi të ketë pasur presione gjatë shqyrtimit të dosjeve dhe bëri të ditur se nuk ka pasur kontakte me ish-kryeministrin Sali Berisha përtej atyre që ka ndjekur në media.
Ajo shpjegoi se kishte punuar pjesë- kohe në shoqërinë “Kontakt” për rreth gjashtë muaj dhe se në vitin 2006 kishte punuar në Agjencinë e Kthimit të Pronave për dhjetë muaj. Lubonja tha se procedura për kthimin e pronave për familjet si Begeja dhe Vaqarri ishte ndjekur si pjesë e detyrave të saj, ndërsa për familjen Llagami njohu vetëm një person, por atyre nuk u ishte kthyer prona. Ajo theksoi se nuk kishte marrë kurrë presione nga ish-pronarët dhe se kontaktonte me Sali Berishën vetëm përmes televizorit.
Sipas dëshmisë së saj, procedura për çështjen “Partizani” filloi më 17 janar 2007. Në paraqitjen e saj në SPAK ajo deklaroi se dosjet e pronave për pesë familje u trajtuan me prioritet dhe u shqyrtuan për rreth dy muaj nga fillimi i procedurës. Lubonja theksoi se detyrat i merrte nga eprorët dhe se kishte zbatuar ligjin dhe të gjitha procedurat e parashikuara gjatë punës së saj.
Ajo sqaroi gjithashtu se dosjet që lidheshin me kthimin e pronave qëndronin në dy sektorë brenda agjencisë, juridik dhe grafik, dhe se territorët e përfshirë ishin të njohura si prona të ish-pronarëve. Lubonja deklaroi se ishin ndjekur procedurat ligjore dhe se ishte dhënë vlerësimi juridik për çështjet në fjalë. (Top Channel)

