Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka publikuar një mesazh të fortë në rrjetet sociale, ku shpreh mbështetjen për qytetarët që, sipas tij, janë të revoltuar nga mënyra se si po qeveriset vendi.
Në statusin e tij në Facebook, Bushati thekson se qytetarët që kërkojnë ndryshim nuk janë të nxitur nga faktorë të jashtëm dhe as të “humbur në qëllimet e tyre”, por janë shqiptarë që kundërshtojnë trajtimin e vendit si “plaçkë”.
Sipas tij, ata janë të vetëdijshëm për pasojat e aleancës mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar, ndërsa besojnë se Shqipëria meriton më shumë drejtësi, dinjitet, shpresë dhe mundësi për të gjithë.
“Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar”, shkruan Bushati.
Në fund të reagimit të tij, ai e cilëson situatën aktuale si një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi, duke përsëritur mesazhin se “Shqipëria meriton më shumë”.
Lexo statusin e plotë:
Nuk janë të nxitur nga Irani, as nga algoritmet, e aq më pak të humbur në qëllimet e tyre. Janë shqiptarë të revoltuar nga trajtimi i atdheut si plaçkë. Të vetëdijësuar për pasojat e aleancës së dëmshme mes politikës, oligarkisë, medias dhe krimit të organizuar. Janë qytetarë që besojnë se Shqipëria meriton më shumë: më shumë drejtësi, më shumë dinjitet, më shumë shpresë dhe më shumë mundësi për të gjithë.
Çdo ditë që kalon e forcon bindjen se Shqipëria e Re nuk është thjesht një aspiratë, por një kapitull i pashmangshëm që duhet përqafuar. Ky është një moment që kërkon reflektim të thellë, urtësi dhe përgjegjësi. #Shqipëriameritonmëshumë

