Tre alpinistë humbën jetën këtë javë në Parkun Kombëtar të Kanionit të Madh të Arizonës si pasojë e vapës, njoftuan mediat lokale dhe agjencitë zyrtare. Temperaturat brenda kanionit mund të kalojnë 43 gradë Celsius, madje edhe në hije, sipas raportimeve.
Sipas Associated Press, më 12 qershor një burrë 72-vjeçar u sëmur për shkak të vapës ndërsa ecte në Shtegun South Kaibab dhe vdiq para se të mbërrinin ekipet e shpëtimit. Katër ditë më vonë, dy persona të tjerë — një burrë 67-vjeçar dhe një grua 68-vjeçare — u sëmurën po ashtu për shkak të vapës ndërsa ecnin në Shtegun North Kaibab dhe vdiqën para mbërritjes së ekipeteve të shpëtimit, bëri me dije Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së. Në deklaratën e agjencisë u theksua: “Pavarësisht reagimit të menjëhershëm të ekipeve të shpëtimit, të tre alpinistët nuk mundën të mbijetonin.”
Zyrtarë të parkut pohojnë se në javët e fundit është vënë re një rritje e rasteve të goditjes nga nxehtësia në Kanionin e Madh. Për shkak të temperaturave të larta, ata kanë kërkuar që alpinistët të shmangin shtigjet midis orës 10:00 dhe 16:00. Nuk jepen detaje shtesë rreth kushteve shëndetësore para vdekjes apo rreth identiteteve përtej moshës dhe gjinisë së viktimave.
Trupat e tre alpinistëve u dërguan në Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Coconino, ku ka nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e sakta të vdekjes së tyre. Hetimi do të përcaktojë nëse vdekjet lidhen direkt me goditjen nga nxehtësia apo faktorë të tjerë shëndetësorë, thanë zyrtarët.
Lajmi u raportua nga burime të ndryshme, përfshirë Associated Press dhe Shërbimin e Parqeve Kombëtare të SHBA-së, ndërsa zyrtarët e parkut vazhdojnë të këshillojnë vizitorët të marrin parasysh rreziqet e vapës dhe të planifikojnë udhëtimet jashtë orarit të rrezikshëm të ditës.

