Policia njofton se pas tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme para Kryeministrisë, janë proceduar penalisht 23 shtetas. Sipas verifikimeve të kryera, disa pjesëmarrës kanë organizuar dhe drejtuar turmën duke penguar qarkullimin e lirë të mjeteve në disa rrugë të Tiranës, ndryshe nga itinerari i njoftuar paraprakisht. Shërbimet e Policisë së DVP Tiranë kryen veprime hetimore dhe procedurale për identifikimin e personave që kryen veprime në kundërshtim me ligjin gjatë tubimit.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 janë proceduar penalisht 23 shtetas, të identifikuar me iniciale: A. K., A. Ll., L. K., E. K., V. D., E. Z., Xh. P., A. N., I. Rr., J. Sh., A. H., Xh. B., Sh. B., E. Q., T. H., S. M., E. K., D. K., A. Ll., L. D., B. K., R. S. dhe E. L. Punimet për identifikimin dhe procedimin e personave të tjerë përgjegjës vazhdojnë.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë për veprat penale: “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Po ashtu, policia njofton se më datë 17.06.2026, në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë është paraqitur shtetasi R. M., i cili kallëzoi se gjatë protestës më 16.06.2026 është kanosur nga shtetasi G. P. Kallëzimi lidhej me një debat për publikimin e një videoje në një rrjet social, ku pretendimi ishte se G. P. pengonte qytetarët të flisnin në podium. Sipas kallëzimit, G. P. i është drejtuar me fjalë që kallëzuesi i ka konsideruar kërcënuese dhe kallëzuesi deklaroi se ai dhe bashkëshortja ndihen të kërcënuar.
Policia thirri dhe mori deklarim nga shtetasi G. P., i cili pranoi se kishte kërkuar sqarime nga kallëzuesi lidhur me videon e publikuar në rrjetin social. Materialet e këtij rasti do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

