Shtetet e Bashkuara publikuan tekstin zyrtar të memorandumit të mirëkuptimit me Iranin, një dokument 14-punktësh që përcakton dispozitat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, lehtësimin e disa kufizimeve financiare ndaj Iranit dhe pritjet për adresimin e programit bërthamor gjatë bisedimeve teknike. Dokumenti, i titulluar “Memorandumi i Mirëkuptimit i Islamabadit midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit”, pritet të nënshkruhet zyrtarisht të premten dhe hap një dritare 60-ditore për negociatat e marrëveshjes përfundimtare.
Memorandumi parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin, dhe angazhim për të mos filluar ose përdorur forcën kundër njëri-tjetrit. Të dyja palët zotohen të respektojnë sovranitetin dhe të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës. Ato angazhohen të arrijnë një marrëveshje përfundimtare brenda 60 ditësh, me mundësi zgjatjeje me pëlqim të ndërsjellë.
Shtetet e Bashkuara do të fillojnë heqjen e bllokadës detare menjëherë pas nënshkrimit dhe do ta përfundojnë brenda 30 ditësh; do të largohen gjithashtu forcat e tyre nga afërsia e Iranit brenda 30 ditëve pas marrëveshjes përfundimtare. Irani do të sigurojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare pa pagesë për 60 ditë dhe do të nisë çminimin brenda 30 ditësh, duke zhvilluar dialog me Omanin për administrimin e ardhshëm të trafikimit detar.
Palët bien dakord që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët rajonalë të zhvillojnë një plan rindërtimi ekonomike për Iranin me të paktën 300 miliardë dollarë, me mekanizëm zbatimi që do të finalizohet brenda 60 ditësh. SHBA kanë marrë përsipër ndërprerjen e të gjitha llojeve të sanksioneve sipas një orari të dakorduar si pjesë e marrëveshjes përfundimtare, si dhe lëshimin e përjashtimeve të Thesarit për eksportin e naftës dhe shërbimeve të lidhura.
Irani riafirmon se nuk do të zhvillojë armë bërthamore dhe pajtohet për asgjësimin e materialit të pasuruar nën mbikëqyrjen e IAEA-së; çështjet e pasurimit do të diskutohen në kornizën e marrëveshjes përfundimtare. Deri në përfundimin e marrëveshjes, palët do të ruajnë status quo-në, dhe do të krijojnë një mekanizëm ekzekutiv për monitorimin e zbatimit. Marrëveshja përfundimtare do të miratohet nga një rezolutë detyruese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

