Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencë për shtyp komentoi vendimin e SHBA-së lidhur me lejen për të hyrë në territorin amerikan dhe çështjen e etiketimit “non grata”. Ai falenderoi administratën e presidentit Trump dhe senatorin Marco Rubio, të cilët sipas tij korrigjuan “një padrejtësi” të administratës së mëparshme, që u bazua në, siç e quajti, lobimin korruptiv të kryeministrit Edi Rama për ndalimin e hyrjes së tij në SHBA. Berisha theksoi se Departamenti i Shtetit ka konfirmuar qartë se emri i tij është hequr nga lista e personave që nuk mund të hyjnë në SHBA, dhe se ky vendim vlen edhe për familjen e tij dhe për persona të tjerë që nuk kanë lidhje me të.
Ai sqaroi se kurrë nuk ka qenë “non grata” në kuptimin juridik të Konventës së Vjenës, duke veçuar se ndalimi i hyrjes në SHBA bazohej në një ligj të Kongresit amerikan. Berisha tha se ngatërresa mes termave erdhi sepse shumica i kanë konsideruar të njëjta, dhe se ai nuk dëshironte të hyjë në debate semantike, por ishte fokusuar tek çështja kryesore: leja për të hyrë në SHBA, që sipas tij është marrë në interes të vetë SHBA-së. Ai nënvizoi gjithashtu se nuk ka bërë asnjë kërkesë për raste të veçanta, si shëndetësore apo të tjera.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse heqja e ndalesës ishte rezultat i lobimit të tij apo vendim ekskluziv i Departamentit të Shtetit, Berisha deklaroi se vendimi është në përputhje me ligjet amerikane dhe se përpjekjet mund të bëhen, por nëse zyrtarët amerikanë e vlerësojnë të papërshtatshëm, ato nuk sjellin rezultat. Ai tha se kishte ndjekur rrugët ligjore, duke shkuar në gjykatë dhe duke iu drejtuar instanceve shtetërore pas ndryshimit të administratës, ndërsa nuk ishte drejtuar tek ta përpara ndryshimit pavarësisht njohjeve që thotë se kishte.
Berisha shprehu falënderime për familjen, bashkëpunëtorët, anëtarët e PD-së, miqtë dhe mbi 500 mijë votues që sipas tij i dhanë mbështetje, dhe i ftoi qytetarët e demokratët të vazhdojnë betejën për rikthimin e votës së lirë dhe për vendosjen e opozitës në pushtet.

