Sipas raportimeve, një ceremoni e mundshme nënshkrimi për një memorandum mirëkuptimi midis SHBA-së dhe Iranit pritet të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës, sipas CNN. Lajmi vjen pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili tha se është arritur një “marrëveshje e madhe” që mund të ndihmojë në zgjidhjen e konfliktit me Iranin. Ai bëri me dije se dokumenti mund të finalizohet në ditët në vijim dhe se ceremonia e nënshkrimit mund të zhvillohet në Evropë, me pjesëmarrjen edhe të zëvendëspresidentit JD Vance.
Zyrtarët iranianë nuk e kanë konfirmuar ende arritjen e ndonjë marrëveshjeje, ndërsa burime të tjera të përfshira në bisedimet diplomatike e konsiderojnë Gjenevën si lokacionin më të mundshëm për ceremoninë. Si alternativë përmendet edhe Viena. Një nga burimet e përfshira thotë se nënshkrimi i memorandumit do të shënonte nisjen e “fazës së dytë” të negociatave mes palëve, por theksohet se gjithçka mbetet ende në nivel diskutimesh.
Sipas disa burimeve, marrëveshja po quhet në mënyrë joformale “Deklarata e Islamabadit”, për shkak të rolit ndërmjetësues që i atribuohet Pakistanit në procesin e bisedimeve. Megjithatë, nuk ka ende një konfirmim zyrtar për përmbajtjen ose finalizimin e dokumentit. Burimet e ndryshme që kanë folur rreth çështjes e përshkruajnë atë si një proces në lëvizje, ku vendimet dhe datat e mundshme të nënshkrimit mbeten të varura nga zhvillimet e ardhshme diplomatike.
Pritet që situata të bëhet më e qartë në ditët në vijim, në varësi të qëndrimeve zyrtare që do të shprehin SHBA dhe Irani. Deri atëherë, informacionet mbeten në nivel deklarues dhe raportues, pa një verifikim të plotë zyrtar të detajeve të memorandumit, vendit të saktë të ceremonisë ose të pjesëmarrësve finalë.

