Kreu i partisë Mundësia, Agron Shehaj, reagoi me tone të ashpra sot në Kuvend, duke kërkuar që parlamenti të shkrihet, pasi sipas tij qytetarët kanë dalë në protestë dhe nuk e duan më qeverinë. Gjatë fjalës ai ofendoi kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, duke e quajtur “në kosh Taulant” dhe akuzoi votuesit dhe përfaqësuesit e mazhorancës se i tallen protestuesve. “I shikoni njerëzit që kanë dalë apo jo? Kalojnë afër shtëpive tuaja apo jo ata Njerëz? Del Taulanti dhe i tall, flamingot thotë. Keni vjedhur shqiptarët, keni shitur Shqipërinë, kanë dalë shqiptarët në shesh po protestojnë kundër jush dhe ju i tallni. Ky parlament duhet të shkrihet sa më shpejt, nuk ju duan më njerëzit, do vijnë t’ju marrin zvarrë. Taulant ki kujdes mos kalo afër koshit të plehrave se ndonjë ditë do ju marrin dhe do ju fusin brenda”, tha Shehaj.
Taulant Balla i përgjigj duke e akuzuar Shehajn për vjedhje të të dhënave personale dhe duke kërkuar që të kthejë listën e PD-së që, sipas tij, e ka marrë. Balla e përshkroi Shehajn si të motivuar nga interesat familjare, duke sulmuar lidhjet me pronat e një anëtari të familjes së tij: “Ky Agron Shehaj që bërtet ka hall tjetër, s’ka lidhje me protestën. Ka hallin e djalit të xhaxhait, bërtet me pronat e djalit të xhaxhait. E di Vlora sa hektarë tokë ka Agim Shehaj. O Agron, pusho ti, porta bosh.” Ai e quajti Shehajn “hajdut të dhënash personale”, tha se është i dënuar dhe nën hetim, dhe sugjeroi që të zbulohet se sa pagesa janë bërë për vendimin e përfshirjes së tij në lista.
Shehaj iu përgjigj duke mohuar lidhjet të cilat Balla i përmendi: “Taulant, çfarë të them? Ti nuk e di, por familja ime jeton jashtë prej ’91. Ne nuk kemi lidhje, fatkeqësisht. Unë dhe fisi im s’kemi marrë asnjë metër katror nga çfarë na takonte, por je një shpifës ordiner”, tha ai. Artikulli transmetohet nga Top Channel.

