Pagat po rriten, por kjo nuk po përkthehet domosdoshmërisht në më shumë mundësi pune, sipas treguesve të fundit të publikuar nga INSTAT. Në tremujorin e parë të vitit 2026, paga mesatare mujore bruto arriti në 90 mijë e 119 lekë, duke shënuar një rritje prej 9.6 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në sektorin publik paga mesatare ishte 105 mijë e 390 lekë, ndërsa në privat 83 mijë e 912 lekë.
Ndërkohë, treguesit e tregut të punës nuk po ecin në të njëjtin drejtim me rritjen e pagave. Shkalla e punësimit në të njëjtin tremujor zbriti në 58 për qind, duke shënuar një rënie prej 0.3 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë. Po ashtu, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës u ul në 76.2 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Papunësia regjistroi një rënie të lehtë, duke arritur në 8.4 për qind në raport me një vit më parë, por u rrit me 0.1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2025. Pamja e papunësisë është veçanërisht e rëndësishme tek të rinjtë: norma e papunësisë në këtë grup moshë u rrit duke arritur në 16.9 për qind në fillim të vitit.
Ekspertët vënë në dukje se sfida kryesore mbetet krijimi i vendeve të reja të punës, sidomos për të rinjtë, në mënyrë që rritja e pagave të shoqërohet me zgjerim të mundësive për punësim. Pa një rritje të ofertës së vendeve të punës, ekziston rreziku që ekonomia të përjetojë paradoksin e pagave më të larta, por me më pak njerëz aktivë në tregun e punës.

