Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian ka propozuar që anëtarët e ardhshëm, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit, të kenë të drejta të kufizuara, përfshirë të drejtën e kufizuar të votës në çështjet ku kërkohet unanimitet, si zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë dhe korniza shumëvjeçare financiare. Ky propozim pasqyrohet në një non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika, Luksemburgu), në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.
Dokumenti vë në dukje se momentalisht i vetmi shtet me perspektivë reale anëtarësimi është Mali i Zi, dhe se BE-ja po punon për draft-marrëveshjen e anëtarësimit për herë të parë pas 17 vjetësh, që nga procesi për Kroacinë në 2009. Autorët argumentojnë se konteksti gjeopolitik ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë dhe se zgjerimi duhet të shihet jo vetëm si proces teknik bazuar në merita, por edhe si investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.
Për të adresuar këto sfida, propozohet krijimi i një modeli të përgjithshëm për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit dhe një katalog opsionesh të përshtatshëm për veçoritë e secilit kandidat. Parashikohet gjithashtu një kornizë standarde e përshtatshme sipas kandidatit dhe sfidave që anëtarësimi mund të sjellë.
Një nga elementët kryesorë është forcimi dhe zgjatja e klauzolave mbrojtëse që zbatohen për sigurinë e brendshme, sigurinë ekonomike dhe reziliencën ndaj ndërhyrjeve të huaja. Vëmendje e veçantë i kushtohet sundimit të ligjit: propozohet një klauzolë për parandalimin e prapakthimit në vlerat evropiane dhe sundimin e ligjit, e cila mund të aktivizojë automatikisht sanksione financiare, procedura për shkelje ose mekanizma të rinj mbrojtës. Institucionet e BE-së do të kenë mundësinë të reagojnë ndaj cenimeve serioze të sundimit të ligjit, parimeve demokratike dhe lirisë së medias, përfshirë edhe pezullimin e formave të caktuara të bashkëpunimit.
Dokumenti shton se pjesëmarrja në Zyrën e Prokurorit Publik Evropian duhet të jetë parakusht politik për anëtarësim, dhe propozon një klauzolë të veçantë për parandalimin e bllokadave dhe për të siguruar bashkëpunim të besueshëm mes anëtarëve, duke parashikuar mekanizma reagimi ndaj sjelljeve që dëmtojnë unitetin dhe procesin e vendimmarrjes në BE.

