Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez, ka zyrtarizuar një ofensivë institucionale kundër Barcelonës duke dorëzuar një dosje voluminoze në zyrat e UEFA-s në Nyon që implikon klubin katalanas në skandalin “Negreira”. Menjëherë pas rikonfirmimit në krye të klubit, akti i tij i parë ishte depozitimi i dokumentacionit, të cilin gazeta spanjolle AS e përshkruan si një dosje prej 500 faqesh, përgatitur gjatë tre vjetëve dhe që bën një skanim të 30 viteve arbitrazhi në futbollin spanjoll. Përmes kësaj lëvizjeje ligjore, Real Madrid kërkon një ndëshkim shembullor nga UEFA, duke mos përjashtuar as kërkesën për heqjen e titujve të fituar nga Barcelona.
Takimi mes Perezit dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin, gjatë finales së Champions League në Budapest u paraqit si i qëllimshëm; bisedimet konfirmuan se UEFA tashmë është në dijeni të materialeve që disponon Real Madrid. Perez është cituar duke thënë: “Nuk do të ndalem kurrë derisa gjithçka të sqarohet. Ky është skandali më i madh i korrupsionit në historinë e futbollit,” dhe ka deklaruar se lufta sapo ka filluar.
Skandali “Negreira” përqendrohet rreth pagesave që kapin vlerën e 8.4 milionë eurove, të derdhura nga Barcelona në llogaritë e kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve (CTA), gjatë periudhës 2001-2018. Drejtësia spanjolle ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj klubit dhe drejtuesve të tij për “korrupsion sportiv”, “ryshfet” dhe “falsifikim”. Ndërkohë, UEFA ka hapur prej kohësh një hetim të pavarur disiplinor; dorëzimi i dosjes nga Real Madrid rrit presionin mbi Nyonin për një vendim përfundimtar.
Nga ana e saj, Barcelona ka njoftuar se po studion çdo hapësirë për të ndërmarrë masa ligjore kundër akuzave dhe veprimeve të fundit të Florentino Perezit. Pritet që të ketë zhvillime të reja dhe reagime zyrtare gjatë orëve në vijim, ndërsa dosja tashmë është në tryezën e zyrtarëve më të lartë të UEFA-s.

