Detaje nga dosja e operacionit për kapjen e Violand Braçellarit, të siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, tregojnë se ai u kallëzua nga një çoban i punësuar nga familja e tij, që pretendonte se ishte dhunuar dhe kërcënuar me armë automatike. Bazuar në kallëzimin e shtetasit A.K., forcat e DVP Korçë zbatuan një plan operativ dhe mëngjesin e 04.06.2026, rreth orës 07:00, u afruan në malin e Bodesë pranë stallave të bagëtive ku ndodhej i kërkuari.
Sipas përshkrimit të vendit të ngjarjes, pa përfunduar rrethimi Violand Braçellari ka hapur zjarr drejt punonjësve të policisë. Si pasojë u vra punonjësi i policisë Enea Mekolli dhe u plagos punonjësi Edison Adri. Braçellari u përpoq të largohej me vrap drejt pjesës së poshtme të stallave, por gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagos dhe u kap disa metra më poshtë. Afër vendit të kapjes u gjet një armë automatike model 56, kalibër 7.62 mm, pa fishekë; arma paraqitej e boshatisur, me qytën të vendosur, bajonetën në pozicion të mbyllur, dhe me një fragment najloni që imiton rripin e armës. Në një pjesë të fragmentit u vërejt një njollë të kuqërremtë që dyshohet si gjak; po ashtu u sekuestruan dy gëzhoja model 56.
Në afërsi u gjet një bluzë e bardhë me dëmtime e njolla të kuqërremta dhe shumë gëzhoja model 56 të shpërndara në distanca që lidhen me lëvizjen nga stallat deri te vendi i kapjes. Në vendngjarje u konstatuan gjithashtu shumë gëzhoja të përqendruara në anën ku ishin pozicionuar punonjësit e policisë.
Kufoma e Enea Mekollit u gjet rreth 8 metra nga muri i stallës së fundit, me dëmtime në kokë, qafë, vesh, gjoks dhe këmbë, të ngjashme me ato të shkaktuara nga predha arme zjarri. Në trupin e tij ishte arma automatike që kishte për operacionin, me krëhër që përmbante 29 fishekë dhe një fishek në folenë e armës, çka sipas dosjes tregon se ai nuk kishte qëlluar me armë. Kufoma u transportua për në morgun e Spitalit Korçë për ekspertime të mëtejshme; në zonën e kokës u konstatuan gjakderdhje prej rreth 40 cm diametër.
Para stallës u gjet edhe një armë automatike model 56 me 23 fishekë në krëhër dhe një fishek në folenë e armës, që dyshohet i përket policit të plagosur Edison Adri; pranë ishin jelek antiplumb, radio dore dhe copa të tjera të ndotura me gjak, të sekuestruara si prova materiale. Në vend janë sekuestruar gjithsej edhe gëzhoja 9 mm GECP LUGGER dhe disa armë dhe jelekë të policisë, të paraprirë për ekspertim balistik.

