Prania e flamurit kuqezi në zonat e mbërritjes të garave të Kupës së Botës në ski alpine për femra reflekton një ndryshim të shpejtë të skenës së sporteve dimërore për Shqipërinë. Nga një fillim thuajse i pamundur, me federatën pa skiatorë profesionistë të rritur brenda vendit, financime minimale dhe asnjë resort të certifikuar për gara ndërkombëtare, vendi ka përparuar falë një strategjie të re institucionale nën drejtimin e presidentit Elvis Toçi. Një analizë e publikuar nga Ski Racing përshkruan prapaskenat e kësaj qasjeje që po sfidon federatat me buxhete milionëshe.
Përballë mungesës së një sistemi akademik brenda Shqipërisë, Federata Shqiptare e Skive ndryshoi taktikën duke kërkuar talente në komunitetet e emigrantëve shqiptarë në Alpet e Italisë dhe vende të tjera evropiane, ku skia është pjesë e jetës së përditshme. Kthesën vendimtare solli projekti i natyralizimit të skiatres italiane Lara Colturi, një nga talentet më të shquara të brezit të saj. Ky hap solli vëmendje mediatike dhe shërbeu si motorr për të rritur kuotat e përfaqësimit të Shqipërisë në garat ndërkombëtare.
Si rezultat, në Lojërat Olimpike Dimërore “Milano Cortina 2026” Shqipëria u përfaqësua me një ekip të plotë: Lara Colturi, Semire Dauti dhe Lisa Brunga në skijim alpin për femra, dhe Denni Xhepa për meshkuj. Një tjetër komponent i rëndësishëm i strategjisë ishte popullarizimi i sportit brenda vendit: federata siguroi të drejtat e transmetimit të garave të Kupës së Botës dhe i ofroi ato televizionet kombëtare pa kosto, duke sjellë skitë në shtëpitë e shqiptarëve dhe duke krijuar një audiencë të re tifozësh që udhëtojnë për të mbështetur ekipin.
Pavarësisht arritjeve në pista, struktura organizative e federatës mbetet shumë modeste: vetëm dy punonjës të kohës së plotë dhe një mbështetje e gjerë në punë vullnetare dhe angazhimin e prindërve. Nga një organizatë pa asete, Shqipëria tani gëzon respekt në qarqet e skijimit botëror, një model që, sipas analizës, demonstron se njohja e rregullave dhe menaxhimi efikas mund të kompensojnë mungesën e infrastrukturës.

