Një 57-vjeçare është vënë në pranga në Kurbin, pasi dyshohet se vrau me thikë nënën e saj. Ngjarja kriminale, me kodin e operacionit “Enigma”, ka ndodhur në fshatin Fushë Mamurras. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë siguroi në rrugë operative informacion se më 30.04.2026 në atë fshat ishte ndërruar jetë një 85-vjeçare, duke u pretenduar fillimisht vdekje natyrale dhe pa u raportuar në Policinë e Shtetit. Nga të dhënat e siguruara lindën dyshime për një ngjarje kriminale, ndaj u ngrit një grup i posaçëm hetimor nga Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë, dhe u zhvilluan veprime verifikuese dhe hetimore.
Hetimet dhe veprimet procedurale bënë të ditur se 85-vjeçarja, e identifikuar si D. Sh., ka humbur jetën si pasojë e goditjeve me mjet prerës (thikë). Si autore e dyshuar rezulton vajza e saj, shtetasja V. Sh., 57 vjeçe, e cila banohej në të njëjtën banesë me viktimën dhe që, sipas përshkrimit në materiale, vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në vijim të hetimeve, shtetasja V. Sh. është ndaluar dhe akuzohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”.
Si provë materiale është sekuestruar mjeti prerës (thikë), si dhe prova të tjera lidhur me ngjarjen. Po ashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë një mjeke, shtetasja A. Ll., për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Ajo dyshohet se ka plotësuar aktin e vdekjes duke e cilësuar si vdekje natyrale dhe nuk e ka raportuar rastin në Polici.
Në bashkëpunim me Prokurorin, policia vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e çdo personi tjetër të përfshirë, nëse ka të tillë, me qëllim vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

