Kryeministri Edi Rama iu përgjigj protestuesve që kundërshtojnë investimin në Zvërnec me një video të publikuar nga hotel “Porto Montenegro”, të cilin e paraqiti si një histori suksesi për Malin e Zi. Në fjalimin e tij, Rama tha se ky resort u ndërtua nga një investitor kanadez, i cili kishte ardhur më parë në Shqipëri për të ndërtuar një port turistik në Durrës, por sipas tij “i ishte mbyllur dera nga qeveria e kohës” dhe u detyrua të largohej.
Duke qëndruar pranë menaxherit të hotelit në video, kryeministri theksoi rëndësinë e këtij investimi për zhvillimin e vendit fqinj. Ai përmendi që në Mal të Zi iu hapën dyert këtij investimi, megjithatë shtoi se “jo çdo gjë shkoi ashtu siç duhej që në fillim”. Rama e përshkroi resortin si një element që “nxori Malin e Zi nga mjegulla e zezë e vendit të krimit”, duke e vënë në shembull të ndikimit të investimeve të huaja në zhvillim.
Përveç deklaratave të dhëna në video, Rama shoqëroi publikimin me një mesazh në të cilin la të kuptohet se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti. Në mesazhin pranë videos ai shkroi mes frazash humoristike dhe tërheqëse: “LIVE NGA PERLA QË E SOLLËN KËTU DIKUSH QË E PËRZUNË NGA SHQIPËRIA🤷🏻♂️”, dhe më tej: “O çuna goca na e kaluan njëherë këta vëllezërit e vegjël topin për shalësh, për fajin e honxhobonxhove tanë që e lanë topin ta marrë deti😩” duke përfunduar me deklaratën se “Po tani s’bëhet llaf më, ta harrojnë të gjithë ata që thonë s’duan apo s’na duan, se na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane”.
Rama ndodhet në Mal të Zi për të marrë pjesë në Samitin BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tivat. Artikulli është publikuar nga Top Channel.

