Dokumentet zyrtare të regjistrit të pronarit përfitues tregojnë se projekti gjigant i parashikuar në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit ka investitorë nga Katari. Projekti, i cili autoritetet shqiptare e kanë paraqitur si një transformim të zonës në një destinacion turistik luksoz me resorte, marina, hotele dhe infrastrukturë moderne, është vlerësuar në rreth 4 miliardë dollarë.
Ekstrakti i Regjistrit të Pronarit Përfitues bën të ditur se kompania shqiptare “Albania Land Development”, e angazhuar në këtë projekt, zotërohet nga dy shtetas të Katarit, secili me 50% të pronësisë indirekte. Në dokumentin zyrtar, pronarët përfitues janë identifikuar si Mohamad Moataz Mhd Ruslan Alkhayat dhe Ramez Mhd Ruslan Alkhayyat, të regjistruar si përfitues përfundimtarë të kompanisë.
Sipas të dhënave, kontrolli mbi “Albania Land Development” ushtrohet përmes një strukture kompanish të regjistruara në Katar. Në këtë rrjet kompanish përmenden Assets International LLC, Assets Real Estate Development WLL, Assets Real Estate Ventures LLC, Poëer International Holding ËLL, Sazan Land Holding LLC dhe Sazan Real Estate Development LLC. Në strukturën e pronësisë shfaqet edhe Poëer International Holding (PIH), e përshkruar në dokument si një nga grupet më të mëdha private të biznesit në Katar, me investime në sektorët e ndërtimit, pasurive të paluajtshme, turizmit, energjisë dhe shërbimeve financiare.
Materiali nënvizon se realizimi i projektit të Sazanit dhe Zvërnecit synon zhvillimin e një zone turistike me infrastrukturë moderne dhe objekte luksoze, ndërsa vlera e investimit është përafërsisht 4 miliardë dollarë. Të dhënat mbi pronësinë dhe strukturën e kontrollit buron nga dokumentet e regjistrit të pronarit përfitues, të publikuara në ekstraktin zyrtar.

