Një shtetas shqiptar u arratis mëngjesin e së martës nga burgu Koridhalos në Athinë, njoftojnë burime policore. Sipas informacionit zyrtar, i arratisuri është një shtetas shqiptar i datëlindjes 1978, i cili mbahej në qeli nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Burimet theksojnë se arratisja ndodhi gjatë hyrjes në ambientet e burgut të një kamioni që po siguronte furnizimet për institucionin.
Mësohet se në momentin kur kamioni hyri në zonën e mbrojtur të burgut, rojat hapën njëkohësisht të dy portat e sigurisë. Në rrethana ende të pa ditura lidhur me këtë hapje, 47-vjeçari shfrytëzoi çastin dhe u largua me vrap përmes rrugicave të zonës përreth institucionit. Policia lokale njoftoi nisjen e kërkimeve të menjëhershme për kapjen e të arratisurit dhe për sqarimin e mënyrës së arratisjes.
Hetimet paraprake të forcave të rendit përqendrohen te aspektet operative të incidentit, duke përfshirë edhe hyrjen e mjetit të furnizimit në ambientet e burgut dhe veprimet e personelit të sigurisë në momentin e arratisjes. Nga burimet policore bëhet e ditur se ekziston dyshimi i një plani të organizuar, sipas të cilit persona jashtë mureve të burgut mund të kenë ndihmuar të arratisurin për tu larguar. Për momentin nuk jepen detaje shtesë për identitetet e mundshme të personave të përfshirë jashtë institucionit, as për mënyrën konkrete të komunikimit apo organizimit që mund të ketë lehtësuar ikjen.
Autoritetet vazhdojnë operacionet e kërkimit në zonën përreth shtyllës së burgut dhe në rrugët e lagjeve përkatëse, ndërsa pritet që në vijim të publikohen informacione të mëtejshme nga hetimet zyrtare. Lajmi është raportuar nga Top Channel.
