Pas disfatës së rëndë kundër Kaljarit, që i kushtoi Milanit kualifikimin në edicionin e ardhshëm të Champions League, atmosfera në klub mbetet e tensionuar dhe drejt një ristrukturimi rrënjësor. Klubi konsiderohet në një fazë “zero”, me pritshmëri për nisjen e një cikli të ri dhe ndryshime të mëdha në drejtim.
Pronari Gerry Cardinale, i cili ndoqi ndeshjen nga stadiumi dhe u largua menjëherë pas fundit të saj, qëndron ende në Milano. Nuk përjashtohet mundësia që ai të shkojë së shpejti në selinë e “Casa Milan” për të zhvilluar takime vendimtare me drejtuesit e lartë të klubit.
Si pasojë e situatës, priten zyrtarizime të para largimesh. Administratori i deleguar Giorgio Furlani, i kontestuar ashpër nga “Curva Sud”, duket drejt largimit për t’i hapur rrugën një figure të re. Procesin e përzgjedhjes së pasuesit të tij po e ndjek Massimo Calvelli. Megjithatë, Furlani është parë së fundmi duke mbërritur në zyrat e klubit, së bashku me Geoffrey Moncada.
Pozita e drejtorit sportiv Igli Tare është lëkundur gjithashtu. Mungesa e arritjes së objektivit minimal sezonal është bërë shkak për vlerësimin e mundësisë së ndërprerjes së bashkëpunimit, ashtu si në rastin e trajnerit Massimiliano Allegri. Tare, i lidhur ngushtë me Allegrin, thuhet se është qënë prej javësh në periferi të vendimmarrjeve kryesore; kjo gjendje konfirmohet edhe nga mungesa e tij në samitin e së dielës midis Cardinale-s dhe Calvelli-t.
Massimiliano Allegri ndodhet në pozitat më të vështira që prej ardhjes së tij në Milano një vit më parë. Pas këtij sezoni që konsiderohet dështak, qëndrimi i tij në stol shihet si shumë i pasigurt, dhe klubi po e ekzaminon mundësinë e ndarjes.
Lëvizjet në nivelin drejtues dhe sportiv duket se do të jenë vendimtare për drejtimin e ardhshëm të Milanit, ndërsa priten vendime zyrtare dhe emërime që do të përcaktojnë fazën e re të klubit.
Top Channel

