Grupi i punës pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor vazhdon pa një zgjidhje përfundimtare për menaxhimin e stokut të çështjeve, i cili është afërsisht 160 mijë dosje. Pas dëgjimit të ekspertit serb Dimitrije Sujeranoviç, i përfshirë më parë në trajtimin e problemeve të backlogut gjyqësor në Greqi, dhe pas propozimeve të mëparshme për ndërhyrje ligjore për reduktimin e çështjeve, grupi ka vënë në diskutim edhe alternativa të tjera.
Sipas informacionit të marrë nga Top Channel, në mbledhjen e 21 majit u propozua rishikimi i numrit të gjyqtarëve në Republikë: nga 417 që duhet të jenë aktualisht në detyrë, u sugjerua shtimi i afërsisht 80 gjyqtarëve të tjerë në sistem. Një tjetër opsion i diskutuar në atë mbledhje ishte rritja e tarifave gjyqësore, në mënyrë që të reduktohen paditë dhe të ulë presionin mbi sistemin gjyqësor.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi gjatë javës se ministria pret sugjerimet e KLGJ për zgjidhjen e situatës, por nuk përcaktoi asnjë afat për kohën që pritet të marrë vendimi apo për kohën kur shqiptarët mund të presin që t’u jepet drejtësi. Më herët, Top Channel ka raportuar se ekspertët pranë KLGJ vlerësojnë të domosdoshme disa ndërhyrje ligjore, përfshirë shmangien e gjykatave gjatë uljes së dënimeve—procedurë që sugjerohet të kryhet direkt nga burgjet—si dhe aplikimin e proceseve online për dorëzimin dhe trajtimin e çështjeve.
Ministri Gogu paralajmëroi gjithashtu se do t’i drejtohet Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për të kryer kontrolle tematike në gjykata. Këto kontrolle do të nisin sapo të konstatohet në çfarë mase stoku është krijuar nga vakancat shkaktuar nga procesi i Vettingut dhe në çfarë mase nga veprimet apo mungesa e veprimeve të magjistratëve. Lajmi është përcjellë nga Top Channel.

