Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani po “i afrohet shumë” arritjes së një marrëveshjeje me Uashingtonin, pas sinjaleve për përparim nga Teherani gjatë javës së kaluar. Ai tha se kishte parë një draft marrëveshjeje, por nuk dha detaje dhe u përgjigj me fjalët “Nuk e di, nuk mund t’jua them këtë” kur u pyet nëse drafti ishte i mjaftueshëm. Trump këmbënguli se çdo marrëveshje do ta pengonte “absolutisht” Iranin të siguronte një armë bërthamore dhe shtoi se do të nënshkruaj vetëm një marrëveshje “ku marrim gjithçka që duam”, përndryshe “do të kemi një situatë, ku një vend do të goditet shumë fort”.
Megjithatë, të dyja palët u shfaqën të kujdesshme në komunikim. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, deklaroi për televizionin shtetëror se qëndrimet e SHBA-së dhe Iranit janë afruar gjatë javës së fundit, por paralajmëroi se kjo nuk nënkupton arritjen e marrëveshjeve për çështjet kryesore dhe akuzoi amerikanët për “deklarata kontradiktore”. Ai theksoi se çështja kryesore e armëve bërthamore nuk do të ishte pjesë e asnjë propozimi.
Baqaei poashtu shpjegoi se plani iranian parashikon hartimin e një memorandum mirëkuptimi ose një marrëveshjeje në formën e një kornize, të përbërë nga 14 pika. Sipas tij, dokumenti ishte në proces finalizimi, dhe bisedimet e mëtejshme mund të zhvillohen brenda 30 deri në 60 ditësh, gjatë të cilave mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Trump refuzoi të japë detaje shtesë mbi draftin që tha se kishte parë, ndërsa zyrtarët iranianë insistuan në kufizimin e çështjeve kryesore dhe në nevojën për formimin e një kornize prej 14 pikash. Të dyja palët shfaqën gatishmëri për bisedime, por edhe rezervë lidhur me përmbajtjen dheë arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.

